13 Janar 2025

Kriza greke sjell 200 milionë euro të tjera në Shqipëri

Tiranë, 30 maj - Kriza e borxheve sovrane në Greqi, e cila u përkeqësua në krizë politike dhe qeverisëse gjatë muajit të fundit, ka sjellë transferta të pazakonta financiare në Shqipëri, që për dy muajt e fundit kanë arritur në 200 milionë euro.

Lajmi bëhet i ditur nga burime nga sistemi bankar, të cilat shpjegojnë se këto transferta nuk kanë njohur rënie që nga fillimi i vitit.

Të njëjtat burime bënë të ditur më herët se për tremujorin e parë, transfertat nga Greqia në Shqipëri arritën në 510 milionë euro.

Në total, në vetëm pesë muaj, vlerësohet se emigrantët shqiptarë kanë riatdhesuar në atdhe rreth 700 milionë euro nga kursimet e veta që më parë mbaheshin në sistemin bankar të Greqisë.

Kriza e borxheve sovrane në Greqi u ashpërsua në janar të këtij viti, pasi kreditorët dhe qeveria greke gjendeshin në bisedime që përfunduan me faljen e një pjese të konsiderueshme të megaborxhit, si dhe me detyrimin e Greqisë për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore.

Shkurtimi i shpenzimeve sipas trojkës së borxhdhënësve të përbërë nga BE, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, do t’i japë mundësi Greqisë të shlyejë pjesën e mbetur të borxhit.

Ndërkohë, në Greqi, gjatë muajve të fundit, është raportuar një largim masiv i depozitave, por ky largim nuk është kthyer ende në një sulm klasik mbi bankat.

Depozituesit kanë frikë se Greqia do të detyrohet të dalë nga euro, gjë që nënkupton që kursimet e të gjithë grekëve do të konvertohen në një monedhë të re.

Por ekspertët thonë se monedha e re do të zhvlerësohet menjëherë me 50 apo 60 për qind kundrejt euros dhe popullsia e Greqisë mund të përballet me të njëjtën situatë si shqiptarët në vitin 1992, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi dhe shumë njerëz humbën kursimet e së gjithë jetës.

Grekët e pasur i kanë transferuar kursimet e tyre drejt Zvicrës apo Britanisë së Madhe, por për kursimtarët e vegjël, këto alternativa janë të kufizuara, pasi bankat perëndimore pranojnë depozita nga qytetarët e vendeve të tjera vetëm në rastet kur këto depozita janë 25 mijë euro e sipër.

Për emigrantët shqiptarë në Greqi, kthimi i kursimeve në atdhe është një zgjidhje e mirë dhe me kosto të ulët.

“Shqiptarët po i sjellin paratë e tyre nga Greqia dhe po i vendosin në depozita ose po i përdorin për të blerë bono thesari të qeverisë”, thotë një burim nga bankat, i cili nuk dëshiron të identifikohet pasi nuk është autorizuar të diskutojë këto çështje publikisht.

Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri erdhën në formën e remitancave nga emigrantët nga e gjithë bota gjithsej 688 milionë euro, ndërsa vetëm në pesë muaj dhe vetëm nga Greqia, këtë vit janë transferuar mbi 700 milionë euro.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)