Kriza greke ndikoi në tregtinë me Kosovën
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 27 korrik - Kriza greke ka pasur ndikim edhe në Kosovë, pasi marrëdhëniet ekonomike kanë qenë të theksuara në nivel të importit dhe eksportit. Në gjashtëmujorin e parë të viti 2014 eksporti me Greqinë ishte mbi një milion euro, ndërkaq për periudhën e njëjtë të viti 2015 ka shënuar rënie në 500 mijë euro, kurse numri i bizneseve greke të regjistruara në Kosovë ishte vetëm pesë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën Epoka e re se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 eksporti në Greqi ishte mbi një milion euro. Në vitin 2014 për gjashtë muaj eksporti ishte 1. 073. 211 euro, kryesisht seksioni i zarzavateve, perimet dhe frutat, kurse në këtë gjashtëmujor kemi eksport vlerë prej 500.966 eurosh, ka thënë ai. Sipas tij, importi për gjashtëmujorin e parë në vitin e kaluar ishte 137.162.556 euro, kurse në vitin 2015 për këtë periudhë kemi import me vlerë prej 53.687.699 eurosh.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Çështje Administrative të Regjistrimit të Biznesit në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit në Kosovë, Mehdi Pllashniku, ka bërë me dije se numri i bizneseve greke të regjistruara në Kosovë për periudhën janar-qershor 2015 ishte vetëm pesë.
Sipas tij, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte vetëm një biznes grek i regjistruar. Numri i bizneseve të regjistruara është më i madh në sektorin e tregtisë dhe kryesisht janë ndërmarrje të vogla, është shprehur ai.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Nehat Emurllahu, ka thënë për gazetën Epoka e re se kriza greke ka ndikim të madh në ekonominë e Kosovës. Greqia e ka të minimizuar prodhimin që është furnizuar nga Kosova, pasi Greqia është prodhuese e vogël dhe është kryesisht qendër tregtare. Nëpërmjet portit të Selanikut importon e gjithë bota mallra. Greqia është më tepër një shtet tregtar sesa prodhues, është shprehur Emurllahu, duke shtuar se gjendja ekonomike dhe politike kanë ndikuar të zvogëlohet eksporti në Kosovë.
Kosova është në gjendje më të vështirë. Gjendja është më e rëndë sesa që propagandohet, flitet ose shkruhet në institucionet më të larta. Ne nuk kemi ngritje të prodhimit, eksportit dhe ngritje të zhvillimit ekonomik. Është e kundërta, sepse skemi investime, kemi prodhim dhe import më pak, pasi shporta e konsumit të qytetarit është më e vogël sot sesa në vitet e kaluara, ka thënë ai. Ndërkaq sa i përket ngritjes së pagave dhe skemave pensionale, Emurrllahu ka thënë se Kosova ka ngjashmëri të madhe me Greqinë.
Sdo doja ta krahasoja me të, megjithatë është një situatë edhe më e vështirë që, fatmirësisht, për momentin është një qetësi kushtimisht ta themi artificiale. Situata nga e cila kemi dalë dhe përjetuar ka bërë që qytetaria e Kosovës e pranon këtë situatë për të mos shkaktuar turbullira apo ekstreme. Sundimi i Ligjit duhet të jetë prioritet mbi prioritete. Kur të ketë sundim të ligjit do të ketë dhe zhvillim. Biznesmenët grekë kanë zhvilluar biznese të mëdha në vendet ku ka perspektivë, ndërkaq në Kosovë nuk kanë treguar shenja deri më sot. Secili biznesmen, kudo që investon, kërkon një vend në të cilin ka siguri dhe mund të zhvillojë një jetë normale të biznesit. Në këtë rast, bizneset greke nuk e kanë parë Kosovën si një ambient i përshtatshëm për zhvillimin biznesit, ka thënë ai.
Njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Xhevat Meha, ka thënë për gazetën se rënia e ekonomisë greke ka ndikuar edhe në ekonominë e Kosovës, pasi po reflektohet në import dhe eksport. Ska rënie vetëm te pajisjet, por dhe te produktet ushqimore. Kjo rënie ka ardhur për shkak të fuqisë blerëse dhe kur bie fuqia blerëse, bie edhe mundësia e investimeve dhe bizneset kanë më pak shitje, ka thënë Meha.
I pyetur se çfarë efektesh mund të ketë për ekonominë e Kosovës, rënia e eksport-importit me Greqinë, ai është përgjigjur se rënia e eksportit ka ardhur si rezultat i rënies së zhvillimit. Ndërkaq, sa i përket regjistrimit të bizneseve greke në Kosovë, Meha ka thënë se nuk është ndonjë indikator i reflektimit të krizës greke në Kosovë, bazuar në numrin e bizneseve të regjistruara. Nëse nuk janë korporata të mëdha, atëherë sdo të ketë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, është shprehur Meha. Kurse Alban Zogaj nga Instituti RIINVEST ka deklaruar se efektet e krizës greke në Kosovë janë vërejtur qysh më herët. Ne kryesisht importojmë nga Greqia naftë dhe derivate të naftës, në anën tjetër eksportojmë shumë pak. Rënia drastike e eksportit ka ndodhur në vitin 2009 dhe nuk është përmirësuar asnjëherë, ka thënë Zogaj.