Kriza ekonomike po rrezikon trashëgiminë kulurore italiane
Romë, 18 dhjetor - Arkeologët në Itali po paralajmërojnë se monumentet e pafund të vendit janë në rrezik për shkak të shkurtimeve të shpenzimeve qeveritare.
Këto shqetësime ngrihen pas rënies së një muri në qytetin antik të Pompeit.
Arkeologët e përshkruajnë Pompein si dritaren më të rëndësishme në botë që e lidh me jetën antike.
Ky qytet shumë i gjalle i Perandorisë Romane, u mbulua nga metra të tërë hiri kur vullkani pranë tij, Mali Vezuv u bë aktiv në vitin 79 të erës sonë.
Gërmadhat e nëndheshme u zbuluan rastësisht 17 shekuj më pas. Shumë prej shtëpive, punishteve dhe ndërtesave publike u gjetën pothuajse të paprekura.
Por ekspertët paralajmërojnë se, falë krizës ekonomike të Italisë, tani gjithçka është në rrezik.
Në fundin e muajit tetor, një pjesë prej tetë metra katrorësh e një muri rrethues u shemb pas një shiu të fortë. Një vit më parë ishte shembur edhe Shtëpia e famshme e Gladiatorëve.
Tsao Cevoli është president i Shoqatës Italiane të Arkeologëve dhe ka punuar për një kohë të gjatë në Pompei.
Kemi patur njoftime të reja këto ditët dhe javët e fundit mbi struktura antike që janë duke u shembur në Pompei. Kjo ndodh gjithmonë kur ka mungesë fondesh.
Presidenti italian e ka cilësuar dëmin si fatkeqësi kombëtare.
Politikanët e opozitës ia vënë fajin qeverisë së mëparshme të zotit Silvio Berluskoni, që i shkurtoi fondet për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore nga 30 milionë euro në 19 milionë euro.
Bashkimi Evropian po ofron ndihmë. Anëtari i Komisionit Evropian, Johannes Hahn vizitoi Pompein pak kohë pas shembjes së murit.
Ne kemi një program veprimi për Italinë, të quajtur Trashëgimia Kulturore dhe një pjesë e rëndësishme e këtij fondi, 105 milionë euro, do të përdoret për të filluar punën këtu në Pompei.
Por arkeologu Tsao Cevoli thotë se ky financim me ndërprerje është mënyra e gabuar e përballjes së problemit.
Ajo që nevojitet është e njëjta gjë si për shtëpitë tona: pra, mirëmbajtje e vazhdueshme dhe jo thjesht të kujtohemi çdo 20 apo 30 vjet për të ndërhyrë.
Zoti Cevoli kritikon autoritetet e Pompeit për harxhimin e fondeve për reklamime dhe jo për mirëmbajtje. Nga ana e tyre, autoritetet ia venë fajin për dëmet shirave të rrëmbyeshëm në Itali.
Ato stuhi dëmtuan edhe monumente të tjera të famshme. Zona të nëndheshme të Koloseut në Romë u përmbytën dhe disa mure u dëmtuan.
Zoti Tsao Cevoli thotë se shkurtimet e shpenzimeve dhe mungesa e mirëmbajtjes po rrezikojnë shembjen e shumë monumenteve.
Gjatë viteve të fundit është kërkuar ndihmë urgjente për tre prej monumenteve historike më të rëndësishme të Italisë: Pompei, Koloseu dhe Muzeu Ufici në Firence. Nëse këto tre monumente kaq të famshme kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, atëherë në çfarë gjendje mund të jenë të gjitha zonat e tjera arkeologjike në Itali?
Për shkak të krizës ekonomike të Italisë, zoti Cevoli është i shqetësuar se në muajt e ardhshëm trashëgimia kulturore e vendit do të pësojë dëme edhe më të mëdha.