Kriza ekonomike në Evropë, afër fundit
Bruksel, 2 gusht - Ka shenja që tregojnë se ekonomia e Evropës mund të jetë më në fund duke u rimëkëmbur nga vite të tëra recesioni dhe zhvillimi të ngadalshëm që ka lënë miliona njerëz pa punë dhe ka dëmtuar edhe ekonominë globale. Por ekspertët thonë se është tepër herët të fillojnë festimet.
Prodhimi industrial në Evropë ka filluar të rimëkëmbet. Kjo do të thotë më shumë vende pune dhe më shumë të ardhura që punëtorët dhe familjet e tyre mund të shpenzojnë. Në aspektin afatgjatë, kjo do të thotë më shumë zhvillim ekonomik.
Statistikat më të fundit i bëjnë ekspertët si Jonathan Buck, redaktor për Evropën në revistën financiare Barrons, të besojnë se ekonomia evropiane po rimëkëmbet.
Gjatë dy vjtëve të fundit kemi parë shenja të këtij kthimi. Mendoj se nga fundi i vitit, do të shikojmë daljen e Evropës nga recesioni.
Ky do të ishte lajm i mirë për punëtorët protestues të Evropës, si këta në Rumani, të cilët marshojnë kundër planeve për uljen e rrogave dhe pushimet nga puna.
Ne erdhëm këtu mbi të gjitha për të mbrojtur vendet tona të punës si dhe për të kërkuar paga më të mira dhe kushte më të mira pune.
Por në firmën këshilluese të Londrës, Capital Economics, ekonomistia me përvojë e çështjeve evropiane, Jennifer McKeown thotë se një rimëkëmbje reale nuk ka të ngjarë të ndodhë shumë shpejt.
Edhe anketat më optimiste vënë në dukje nivele tepër modeste të zgjerimit ekonomik dhe pas një recesioni kaq të gjatë dhe të thellë, nuk mund të flasim ende për rimëkëmnbje ekonomike.
Para një viti, disa ekspertë paralajmëruan se eurozona mund të shpërbëhej, por tani Letonia po bëhet gati të bashkohet me eurozonën, madje zyrtarët treguan me mburrje dizenjon e monedhës së tyre të re.
Megjithatë ekonomistja McKeown thotë se kërcënimi ndaj euros vazhdon, ndërsa merr fund durimi i votuesve për masat e ashpra ekonomike dhe paketat e ndihmave.
Mendoj se të gjithë këta faktorë nënvizojnë rrezikun e daljes nga eurozona ose të paktën shumë më tepër tensione në këtë zonë në tremujorët e ardhshëm.
Jonathan Buck nuk është dakord.
Paketat e ndihmave kanë ndihmuar shumë vende të stabilizojnë borxhet e tyre si dhe problemet buxhetore, ndërkohë që mundësia e shpërbërjes së eurozonës duket se është eliminuar.
Ndërsa kjo nuk është një pikëpamje universale, vlen të thuhet se ekspertët e mbështesin atë në një formë apo një tjetër, por edhe pikëpamja relativisht optimiste e ekspertit Buck ka kufijtë e saj.
Ne ende mund të përjetojmë disa tronditje që do të provonin vazhdimësinë e zhvillimeve që po përjetojmë për momentin në Evropë.
Pra, edhe nëse Evropa është në fazat e para të rimëkëmbjes ekonomike, ajo do të jetë e gjatë, e ngadaltë dhe e pasigurtë, veçanërisht për ekonomitë më në vështirësi të rajonit.