Kriza ekonomike godet Amerikën Jugore
Rio de Zhanerio, 15 korrik - Ekonomia në Amerikën e Jugut nuk është në gjendje edhe aq të mirë. Për shkak të krizës financiare në botë, interesimi mbi lëndët e para në Amerikën e Jugut ka rënë dukshëm.
Udhëheqësit më të rëndësishëm të vendeve anëtare të Aleancës Ekonomike të Amerikës Jugore \"Mercosur\" - Brazili, Argjentina dhe Venezuela, kësaj rradhe nuk kishin shumë arsye për tu gëzuar në takimin e mbajtur këtë të premte.
Tre anëtarët e kësaj aleance nuk janë në gjendje të mirë ekonomike. Inflacioni është i lartë, rritja ekonomike është e ultë dhe valuta monetare shtetërore po e humb vlerën.
Një gjë e tillë nuk po vërehej më 2008-ën, atëherë kur kriza financiare po kaplonte botën, shtetet e Amerikës së Jugut nuk po i prekte kriza. Sidomos Brazilin i cili po shënonte shifra rekorde të zhvillimit deri në 7 përqind për vitin 2010. Në ndërkohë ekonomia argjentinase po ngritej me nëntë përqind për dallim nga viti paraprak. Por, ja që tani edhe kësaj i erdhi radha ta përjetoj krizën. Edhe pse ekonomia prapë po vazhdon rritjen, në krahasim me shifrat e viteve të kaluara, aktualisht po vërehen uljet.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në çerekun e parë të 2013-ës shënoi në Brazil një rritje prej rreth 1,9 për qind, në Venezuelë me rreth 0,7 për qind dhe së fundmi në Argjentinë shifrat arritën deri në 3 përqind. Këtu shifrat e argjentinës duhen përcjellur me kujdes. Agjensione të pavaruar si dhe Fondi Monetar Ndërkombtar (FMN), akuzojnë vendin se është duke zbukuruar shifrat.
Një arsye për uljen ekonomike: këto vende varen shumë nga eksportimi i lëndëve të para. Interesimi ndërkombëtar për produktet për të cilat nevojiten lëndët e para po bie. Kjo është arsyeja pse më nuk po blihen lëndët e para, thotë Federico Foders, profesor i shkencave ekonomike, në universitetin e Kiel-it, në një intervistë me Deutsche ëelle-n.
Shembulli më i mirë për varësinë ndaj lëndëve të para është Venezuela. bekim dhe mallkim këtu është nafta. Ky shtet jeton vetëm nga ky eksport. Por, interesimi për të ka rënë në mbarë botën. As Hugo Chavez por as pasardhësi i tij presidenti Nicolas Maduro nuk ia dolën, ta pavarsojnë shtetin nga ky burim i vetëm i të ardhurave.
Përderisa, shteti u përqëndrua vetëm në eksportimin e naftës, të gjithë sektorët tjerë ekonomike mbetën pas dore. Në fillim të vitit pothuajse edhe raftet e të gjitha supermarketeve ishin të zbrazura, aty mungonin produktet si psh.: mielli, sheqeri, madje madje edhe letër banjoje ishte vështirë të gjeje gjëkundi, siç tregonin venezuelasit.
Simptome të njëjta edhe në shtetin tjetër: edhe në Argjentinë vzahdon të bie çdo ditë e më shumë vlera e monedhës kombëtare Peso. Për këtë arsye, qytetarët po sigurojnë monedha të vendeve të huaja përmes tregut të zi.
Besimi në bankat vendore është në rënie e sipër: më shumë se 170 miliard dollarë gjinden jashtë shtetit apo edhe poshtë dyshekut. Kështu njofton Instituti kombëtar i statistikave Indec, sipas një studimi të fundit të publikuar në korrik. Për krahasim: bankat vendore argjentinase posedonin në dhjetor të vitit 2012, 43 miliard euro.
Për mungesën e besimit fajin e mban vet shteti argjentinas, thotë shkencëtari brazilian i shkencave ekonomike, njëkohësisht profesor universitar në Sao-Paulo (PUC-SP) Antonio Carlos Alves dos Sontos. Argjentina ka problemin e besimit. Ne kurrë nuk mund ta dimë nëse shkalla e inflacionit është e saktë apo jo. Politika argjentinase po ndikohet nga populizmi ekonomik, vazhdon profesori: Ky është një problem i vjetër i saj.
Sipas të dhënave shtetërore argjentinase, inflacioni më 2012-ën ishte rreth 10,8 përqind. Në ndërkohë, institute të pavarura deklarojnë diçka krejt tjetër, ato thonë se shifra arrinin deri në 25,6 përqind. Është e kuptushme që Argjentina zbukuron shifrat e saj, për shkak se ajo duhet të paguaj edhe kreditë që ka jashtë shtetit, thotë shkencëtari ekonomik nga Kieli, Foders.
Me një Peso të pavlerë gjithçka do të përfundonte me një dramë, meqë kamatat e borxheve janë të lidhura me normën e inflacionit brenda shtetit. Por, për konsumatorët e gjithë kjo nuk është edhe aq e mirë, thotë Foders. Për shkak se edhe çmimet nëpër supermarkete po ngriten, përderisa të ardhurat janë shumë të ulta. Përfundimisht, artikujt e ndryshëm për qytetarët janë pothuajse të papagueshme.\"
Si për shembull domatja e famshme braziliane. Në muajin prill kjo perime u bë shkak i barcoletave të shumta në rrjetin social në mbarë vendin. Brenda një viti çmimi i domates ka pësuar një ngritje prej 120 për qindm një kilogram është shitur deri në 3,50 euro. Brazilianët krahasuan domaten me ar duke bërë shaka se tani hajnat në rrugë më nuk kërkojnë para por domate.