Kreditimi për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë shënon rritje
Prishtinë, 5 gusht - Shoqata e Bankave të Kosovës njofton se kreditimi për gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë në Kosovë ka shënuar një ngritje të konsiderueshme në raport me gjashtë mujorin e parë të vitit 2018. Në krahasim me TM2 të vitit paraprak, kreditimi për sektorin e prodhimit në Kosovë pati ngritje prej 20% ndërkaq rritje pati edhe sektori i Bujqësisë prej 15.4%. Sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës, kreditimi për sektorin e prodhimit për gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 ishte 242.30 milion euro ndërkaq për sektorin e Bujqësisë ishte 74.00 milion euro.
“Rritja e kërkesës për kreditim nga ana e sektorit të prodhimit dhe bujqësisë në Kosovë paraqet një momentum të ri jo vetëm në sektorin bankar në Kosovë por edhe për vet zhvillimin ekonomik të vendit, pasiqë gatishmëria e bankave për t’u ofruar kredi bizneseve me norma të ulëta të interesit me kushte të favoshme preferenciale, hap mundësi të reja për krijime të vendeve të punës dhe krijon rrugë të reja për eksport”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, z. Petrit Balija. Krahas rritjes së kreditimit për sektorin e Prodhimit dhe Bujqësisë, z. Balija tha se sektori bankar në Kosovë është duke bërë përpjekje të vazhdueshme të përkrahë edhe sektorë tjerë ekonomik përmes kreditimit, në mënyrë që të krijohen kushte të favorshme për të gjitha industritë në vend. Tutje, z. Balija potencoi se rritja e kreditimit për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë në Kosovë reflekton gatishmërinë dhe interesin e bizneseve për të investuar dhe zgjeruar biznesin përbrenda Kosovës, gjë që ndikon pozitivisht në përmirësimin e bilancit tregtarë të Kosovës dhe mbështet një normë të qëndrueshme të rritjes ekonomike.