Kreditimi i ekonomisë së Shqipërisë jep sinjale rigjallërimi
Tiranë, 7 janar - Banka e Shqipërisë bën të ditur se, pas disa muajsh në stanjacion, kreditimi i ekonomisë ka dhënë sinjale rigjallërimin në fundin e vitit 2016.
Sipas BSH-së, në nëntor kredia u zgjerua me 2.5 miliardë lekë ose 18.5 milionë euro krahasuar me tetorin duke shënuar rritjen më të lartë në gjashtëmujorin e dytë.
Të dhënat tregojnë se rritja ka ardhur kryesisht nga kredia e dhënë për biznesin, ndërsa huatë për individët janë rritur me një ritëm më të ulët. Por, pavarësisht ecurisë pozitive te regjistruar në nëntor, kreditimi i ekonomisë vijon të mbetet i dobët.
Sipas të dhënave të Bankës në terma vjetor, pra nëse krahasohet me nëntorin e vitit të kaluar, stoku i kredisë është rritur me vetëm 0.75 për qind, një ritëm ky dukshëm më i ulët nga nivelet që synon Banka e Shqipërisë dhe qeveria për të mbeshtetur rritjen ekonomike.