Kreditë vazhduan të përshpejtojnë ritmin e rritjes
Prishtinë, 10 qershor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se gjatë tremujorit të parë 2015, kreditë vazhduan të përshpejtojnë ritmin e rritjes. Në mars 2015, gjithsej kreditë arritën vlerën 1.90 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4.3 për qind, 2.4 për qind në mars 2014.
Duke arritur vlerën prej 216.3 milionë euro, gjithsej kreditë e reja të lëshuara gjatë tremujorit të parë 2015 u karakterizuan me rritje vjetore prej 8.4 për qind. Rritja e aktivitetit kreditor, sipas anketës për kreditimin bankar, i atribuohet kryesisht ofertës më të lehtësuar bankare gjatë periudhës shtator 2014 mars 2015, përderisa kërkesa për kredi vlerësohet të ketë mbetur përgjithësisht e pandryshuar gjatë kësaj periudhe. Bankat deklaruan standarde më të lehtësuara kreditore për ndërmarrjet dhe për kreditë konsumuese gjatë kësaj periudhe.
Sa i përket shkallës së aprovimit të kredive, bankat deklaruan të kenë mbajtur një qasje më të lehtësuar përgjithësisht për NVM-të, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë. Sipas BQK-së në gjashtë muajt e ardhshëm (mars-shtator 2015), oferta kredituese e bankave, shprehur përmes standardeve të aplikuara kreditore pritet të mbetet përgjithësisht e pandryshuar.
Megjithatë, një numër i bankave kanë deklaruar se presin lehtësim te standardeve kreditore për NVM-të, përderisa pothuajse të gjitha bankat deklaruan se presin lehtësim deri në një masë të standardeve kreditore që do të aplikojnë për ekonomitë familjare (kredi konsumuese dhe kredi për blerje të shtëpive). Sa i përket shkallës së aprovimit të kredive, bankat presin qe shkalla e aprovimit të kredive në gjashtë muajt e ardhshëm të mbetet përgjithësisht e pandryshuar, megjithëse një qasje më të lehtë në financim bankar pritet të kenë NVM-të dhe ekonomitë familjare, ka njoftuar BQK-ja. Për dallim nga gjashtëmujori i kaluar kur kërkesa për kredi ishte përgjithësisht më e ulët, në periudhën mars-shtator 2015, bankat kanë deklaruar se presin një rikuperim të kërkesës për kredi. Kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë nga NVM-të, por edhe nga ndërmarrjet e mëdha.
\"Kërkesë më të lartë bankat presin edhe nga ekonomitë familjare. Rritja e gjithsej kredive deri në mars 2015 kundrejt periudhës së njëjtë në vitin paraprak kryesisht i atribuohet rritjes së theksuar prej 10.8 për qind të kredive ndaj ekonomive familjare (3.5 përqind në mars 2014). Me rritje u karakterizuan edhe kreditë ndaj ndërmarrjeve, të cilat po ashtu u karakterizuan me përshpejtim të rritjes në 2.9 përqind në mars 2015, 2.2 për qind në mars 2014. Struktura e kredive ndaj ndërmarrjeve sipas veprimtarive ekonomike vazhdon të dominohet nga kreditë e destinuara për tregti me pjesëmarrje prej 53.2 përqind, pasuar nga prodhimtaria me 12.2 për qind dhe ndërtimtaria me 8.2 për qind. Sektori i bujqësisë vazhdon të ketë qasje më të ulët në financimin bankar, me pjesëmarrje prej 3.9 për qind në gjithsej kreditë për ndërmarrjet, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.
Gjatë tremujorit të parë 2015, kreditimi ndaj të gjithë sektorëve të ekonomisë shënoi rritje, përjashtuar sektorin e ndërtimtarisë i cili vazhdon të karakterizohet me rënie të kreditimit. Kreditimi i sektorit të bujqësisë u karakterizua me rritjen më të theksuar krahasuar me sektorët tjerë. Kreditë ndaj sektorit të bujqësisë në mars 2015 shënuan rritje vjetore prej 9.4 përqind krahasuar me rënien prej 1.6 përqind në mars 2014. Rritja është rrjedhojë e uljes së theksuar të normave të interesit të ofruara nga bankat dhe njëkohësisht rritjes së theksuar të numrit të bizneseve në këtë sektor.