Kreditë për bizneset kapin vlerën e 1.2 miliard eurove
Prishtinë, 18 gusht - Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me Kreditë e Korporatave të tjera Depozituese KTD në Republikën e Kosovës në vitet 2007-2013. Në vitin 2013 kreditë në total për bizneset në Kosovë shënojnë vlerën e 1.2 miliard eurove, ndërkohë që në të njëjtin vit në Republikën e Shqipërisë këto kredi shënonin vlerën e 2.8 miliard eurove.
Gjatë viteve 2007-2013 kreditë e KTD-ve në Kosovë kanë ardhur duke u rritur.
Vlerën më të madhe ndër kreditë e korporatave të tjera depozituese sipas aktivitetit ekonomik e shënojnë ato të sektorit të shërbimeve.
Në vitin 2013 kreditë lëshuar bizneseve që ofrojnë shërbime përbënte 72% të kredive për aktivitet biznesi në total. Në harkun kohor 2007-2013 kreditë për sektorin e bujqësisë janë rritur me 58%, ato për sektorin e industrisë, energjetikës dhe ndërtimtarisë janë rritur me 102% dhe kreditë për sektorin e shërbimeve janë rritur me 70%. Rritjen më të ulët ndër tre sektorët kryesor duket ta ketë pësuar bujqësia.
Kjo si pasojë edhe e subvencioneve të Qeverisë për nxitjen e aktivitetit bujqësor në Kosovë, si dhe skemës së garantimit të kredive bujqësore të mbështetur nga USAID. Kreditimin më të lartë në sektorin e industrisë, energjetikes dhe ndërtimtarisë e shënon prodhimi, i cili në vitin 2013 përbënte 45% të totalit të kredive lëshuar për këtë sektor.
Në vitin 2013 nga 291 milionë euro kredi lëshuar për gjithë sektorin, 132 milionë euro i përkisnin prodhimit, 119 milionë euro ndërtimit, 21 milionë euro energjetikës, gazit etj dhe 20 milionë euro minierave.
Në sektorin e shërbimeve vihet re një kreditim i lartë i tregtisë me shumicë e pakicë, përkatësisht 73% të totalit të sektorit. Në vitin 2013 krahasuar me një vit më parë rritjen më të lartë e shënon hoteleria dhe restorantet me 27%, pasuar nga shërbimet financiare, patundshmëri, qira etj me 26% rritje.
Të dhënat në hulumtim janë marrë nga Banka Qendrore e Kosovës.