Kreditë e këqija, bankat në Shqipëri humbasin 310 milionë euro
Tiranë, 13 mars - Shuma që bankat në Shqipëri kanë shumë dyshim për ta rikuperuar nga kredia që ato kanë dhënë për biznesin privat apo për individët është rritur në mënyrë të frikshme, me 40%, vetë gjatë vitit 2012, duke arritur në 310 milionë euro, nga 220 milionë euro në fund të 2011.
Të dhënat janë llogaritur në bazë të nivelit të kredive të këqija dhe stokut të huas, që publikohen nga Banka e Shqipërisë.
Totali i huave me probleme në fund të vitit 2012 arriti në 22.76% të totalit, sipas Bankës së Shqipërisë, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2000, kohë kur sistemi bankar, në pjesën më të madhe shtetëror, po ristrukturohet duke fshirë gjithë huat me probleme.
Në total, huat me probleme në sistemin bankar, në vlerë absolute kanë arritur në 914 milionë euro, nga e cila një e treta konsiderohen të humbura.
Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, kreditë problematike të sistemit bankar kanë arritur në rreth 10% të tij.