20 Nëntor 2024

Kreditë e këqija, 130 milionë euro

Prishtinë, 23 korrik - Më shumë se 130 milionë euro, kanë arritur kreditë e klasifikuara si të “humbura” dhe të “dyshimta” deri më 31 dhjetor të vitit që lamë pas, e ku vërehet një rritje prej më shumë se 30 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se gjatë vitit 2012, performanca më e dobët e ekonomisë në përgjithësi, dhe sistemit bankar në veçanti, ndikoi në uljen e cilësisë së portofolios kreditor.

Në raport thuhet se sa i përket strukturës së kredive sipas klasifikimit në bazë të cilësisë, vërehet një migrim i kredive nga kategoria standarde,drejt kategorive që karakterizohen me cilësi më të dobët.

Sipas raportit të BQK-së gjatë vitit 2012, pjesëmarrja e kredive të klasifikuara në gjithsej kreditë ka shënuar rritje duke qëndruar në 12,9 për qind, derisa në dhjetor të vitit 2011 ishte në 10 për qind. Po ashtu, pjesëmarrja e kredive me probleme në gjithsej kreditë, në dhjetor 2012, ishte 10 për qind, e gjersa në fund të vitit paraprak ishte 8,3 për qind.

“Rritje më të theksuar kanë shënuar kreditë e klasifikuara në kategoritë si ‘të humbura’ dhe ‘të dyshimta’, këto dy kategori së bashku përbëjnë portofolion e Kredive joperformuese (Non-Performing Loans: NPL). Njëherazi, kjo është kategoria më e rëndësishme për sa i përket përshkrimit të cilësisë së portofoliot kreditor. Në dhjetor 2012, pjesëmarrja e NPL-ve në gjithsej portofolion kreditor të sistemit bankar arriti në 7,5 për qind nga 5,7 për qind sa ishte në dhjetor 2011”, thuhet në raportin e BQK-së për vitin 2012.

Më tej, thuhet se niveli aktual i NPL-ve paraqet nivelin më të lartë të NPL-ve që nga fillimi i funksionimit të sistemit bankar në Kosovë, ku rritja vjetore e gjithsej kredive ishte 3,8 për qind, krahasuar me 16,4 për qind, sa ishte në dhjetor 2011, ndërsa rritja vjetor e NPL-ve arriti në 35,8 për qind nga 13,6 për qind sa ishte në fund të vitit 2011.

Sipas BQK-së, ngadalësimi i rritjes së kredive në përgjithësi ka ndikuar në mënyrë indirekte në rritjen e nivelit nominal të NPL-ve. Sa i përket strukturës së NPL-ve, në fund të vitit 2012 kreditë e klasifikuara si ‘të humbura’ përfaqësonin 66,2 për qind të gjithsej NPL-ve, ndërsa kreditë e klasifikuara si ‘të dyshimta’ qëndronin në 33,8 për qind. Gjatë periudhës në fjalë kreditë ‘e dyshimta’ arritën në 44,2 milionë euro duke shënuar rritje për 29,3 për qind, ndërsa kreditë ‘e humbura’ u rritën për 39,4 për qind duke arritur në 86,5 milionë euro krahasim me vitin paraprak.

“Rritja e NPL ishte prezentë pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Sidoqoftë, përkeqësimi i cilësisë ishte më i theksuar te kreditë e sektorëve si p.sh. të tregtisë, ndërtimtarisë, prodhimtarisë, energjisë si dhe shërbimeve të hotelerisë”, thuhet në raport.

Bie interesi në kredi

Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se në vitin 2012, normat e interesit për kredi u karakterizuan me rënie, ndërkaq normat e interesit për depozita me rritje.

Norma mesatare e interesit në kredi në vitin 2012 u zvogëlua në 13,4 për qind, krahasuar me 14,1 për qind sa ishte në vitin 2011. Ndërsa, në të njëjtën periudhë, norma mesatare e interesit në depozita u rrit në 3,6 për qind krahasuar me 3,5 për qind sa ishte në vitin 2011.

“Sa u përket depozitave, norma mesatare e interesit për depozitat e ekonomive familjare ishte më e lartë krahasuar me normën mesatare të interesit për ndërmarrjet në vitin 2012. Norma mesatare më e lartë në depozitat e ekonomive familjare në vitin 2012 ishte 5,23 për qind për depozitat me afat maturimi mbi dy vite. Ndërkaq, norma mesatare më e lartë për depozitat e ndërmarrjeve në vitin 2012 ishte 5,09 për qind për depozitat me vlerë nën 250 mijë euro dhe me afat maturimi mbi dy vite”, thuhet në raport.

Çka janë kreditë e “humbura” dhe “të dyshimta”?

Kreditë e humbura klasifikohen atëherë kur deponimet, rrjedhat e parasë në llogarinë e mbitërheqjes së klientit janë të pamjaftueshme për pagesën e bilancit të papaguar në afat kohor mbi 180 ditë, klienti i cili ka tejkaluar për 5 për qind ose më shumë limitin e autorizuar të ekspozimeve kreditore nga banka më shumë se 180 ditë pa paguar këtë tejkalim, ose nëse menaxhmenti i bankës formalisht nuk e ka aprovuar këtë ngritje të limitit, nëse kredia apo ekspozimet tjera kreditore nuk janë paguar më shumë se 180 ditë nga data e skadimit të tyre.

Ndërkaq, kreditë klasifikohen si të dyshimta kur klienti është vonuar në pagesën e çfarëdo kësti të kredisë sipas kontratës në afat kohor prej 91-180 ditë.

 /Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)