Kredia për ekonominë shqiptare shënon rritje
Tiranë, 1 qershor - Shpresat në muajin mars se huadhënia për ekonominë po fillonte të rigjallërohej, pas masave që mori Banka e Shqipërisë për lehtësimin e rregullave të likuiditetit të bankave dhe miratimit nga Kuvendi shqiptar të procedurave të ekzekutimit të kolateralit, pritet të japë efekte në rritjen e kreditimit në muajt në vazhdim në Shqipëri.
Në fund të muajit prill, huaja për ekonominë shqiptare u rrit me vetëm 0.02%, apo 100 milionë lekë (rreth 750 mijë euro), në raport me fundin e 2012-s, bën të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, për periudhën përkatëse të një viti më parë, shtesa e huasë ishte rreth 8 miliard lekë (58 milionë euro), me rritje rreth 1.5%. Në raport me prillin e 2012-s, kredia për ekonominë është rritur me 4.9 miliardë lekë apo me vetëm 0.9%.