Kredia e BB-së, test për Kosovën
Prishtinë, 11 mars - Kredia e parë prej 20 milionë dollarësh, të cilën e ka fituar Kosova nga Banka Botërore, vetëm 9 muaj pas anëtarësimit të saj në këtë institucion monetar ndërkombëtar, paraqet një moment të rëndësishëm dhe një shenjë se Kosova po hyn në një fazë të re të raporteve me Bankën Botërore, vlerësojnë ekspertët për çështje të ekonomisë në Kosovë.
Por, ata tërheqin vërejtjen se ky fakt nuk duhet të krijojë te institucionet kosovare ndjenjën e komoditetit në raport me Bankën Botërore.
Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit Riinvest, thotë se Kosova tashmë ka tejkaluar fazën e marrjes së grandeve, si mbështetje buxhetore dhe asistencë teknike.
Kosova po hyn ne një fazë të re. Tash po hyn edhe në marrjen hua, gjë që paraqet një moment mjaft të rëndësishëm. Ndërkaq, duhet të shtojmë se është esenciale që këto mjete të shfrytëzohen për rritjen e aftësive të Kosovës për të gjeneruar vende të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës, thotë Mustafa.
Ndërkaq, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, vlerëson se fitimi i kredisë së parë nga Banka Botërore, për Kosovën paraqet moment të rëndësishëm për shkak se Banka Botërore ka treguar gatishmërinë për, siç thotë ai, hapje ndaj Kosovës.
Unë më tepër e marr, këtë formë të kredisë prej 20 milionë dollarësh, si një test për institucionet e Kosovës, se si do ti menaxhojnë. Por, nga vetë fakti që këto do të shkojnë në formë të ngritjes së kapaciteteve qeveritare apo në formë të asistencës teknike, nuk duhet të jemi optimistë se do të kemi të arritura të shumta apo se do të ketë rezultate me efekte.
Prandaj, është mirë që ndodh kjo, mirëpo nuk është një arsye që na bën të ndjehemi komodë dhe të mendojmë se çdo gjë e kemi zgjidhur, konsideron Gërxhaliu.
Ndryshe, përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë paralajmëruar se së bashku me partnerët tjerë zhvillimorë, do ti ofrojnë Kosovës 200 milionë dollarë, në kuadër të, siç është thënë, strategjisë së përkohshme për Kosovën. Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës e kanë vlerësuar këtë si mbështetje që Banka Botërore po u jep prioriteteve të kësaj qeverie.
Por, zoti Mustafa sugjeron që intervenimet të mos bëhen me strategji të përkohshme, por të jenë produkt i studimeve të kujdesshme të fizibilitetit dhe studimeve sektoriale, të cilat do të nxirrnin në pah se cilët janë sektorët me përparësi.
Projektet, të cilat do të financoheshin nga Banka Botërore, do të prodhonin efekte me të cilat këto hua do të ktheheshin. Sepse, në qoftë se ne, huat e Bankës Botërore i përdorim për projekte që nuk prodhojnë efekte, atëherë buxheti i Kosovës do të duhej të intervenojë për kthimin e kësaj huaje dhe Kosova mund të vijë në vështirësi shumë të mëdha.
Sa do të përfitojmë nga këto mundësi, varet edhe nga Banka Botërore, por edhe nga Kosova, se sa do të gjenerojë projekte të mira, përkatësisht sa do të jetë efektive në realizimin e tyre, thotë Mustafa.
Ngjashëm vlerëson edhe Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Kosovës i mungon një plan kombëtar zhvillimor dhe për këtë shkak, sipas tij, këto mjete vështirë se do ta gjejnë destinacionin e fundit.
Nëse do të jepen 200 milionë nga Banka Botërore dhe partnerët e saj, nuk do ta kenë peshën e asaj që është propozuar apo që është thënë në konferencën e donatorëve, se Kosovës do ti jepen 1 miliard e 200 milionë euro.
Është koha, duhet të përgatitemi për ti absorbuar paratë dhe jo për ti marrë ato. Sepse, nëse nuk do të kemi projekte konkrete, transparencë, luftë të krimit të organizuar, shenja për eliminimin e tenderomanisë, atëherë këto mjete do të mbeten vetëm si të shkruara ose të destinuara për Kosovën dhe mjete të tilla kemi pasur deri më tash shumë, thekson Gërxhaliu.
Sidoqoftë, sipas këtyre ekspertëve, është koha e fundit që Kosova ti përmbushë kriteret, të cilat kërkohen nga Banka Botërore, dhe të ofrojë projekte konkrete, për zbatimin e të cilave do të bisedohej.
Një gjë e tillë do të hapte rrugën për marrjen e kredive të premtuara nga Banka Botërore, si dhe mjeteve të premtuara nga konferenca e donatorëve, e mbajtur në korrik të vitit 2008 në Bruksel.
/evropa e lire/