17 Nëntor 2024

Krasniqi: Të mos lejohet të na ikin bizneset gjermane

Prishtinë, 4 mars - Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare, Samir Krasniqi, në konferencën “Dialogu për politika ekonomike”, tha se institucioni që ai drejton, do të angazhohet për përmirësim të ambientit të përgjithshëm biznesor në Kosovë.

Duke qenë mjaft kritik dhe i drejtpërdrejtë, Krasniqi tha se përkundër prezencës së biznesit gjerman në Kosovë, kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ne nuk jemi aspak të kënaqur me këtë, sepse mundësitë janë shumë më të mëdha dhe ne jemi të interesuar që biznesi gjerman dhe metoda e punës më bashkëkohore botërore që i veçon ata, të gjejë shtrirje sa më të gjerë tek ne. Dhe kjo nuk po ndodhë për fajin e mikut tonë më të mirë siç është Gjermania, por për fajin tonë”, tha Krasniqi, para shumë të pranishmëve në konferencën e organizuar nga OEGJK, ku pjesëmarrës ishin edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets, ministri i Financave Avdullah Hoti, ai i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Ekonomik z. Memli Krasniqi si dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami.

Presidenti i OEGJK-së, përmendi disa raste kur biznese të fuqishme gjermane kanë ardhë për të investuar në Kosovë, por pas disa muajve të qëndrimit, janë larguar.

“Investitorët gjermanë, ta themi hapur - filluar nga RWE, E-on, Drexelmeier, e disa të tjerë, që ishin në Kosovë me ambicie e projekte madhore - më nuk janë këndej. Ata ikën. Ikën të zhgënjyer nga politikat apo para-politikat tona, korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor. U detyruan të kthehen mbrapa apo të vazhdojnë me investimet e tyre në ndonjë vend fqinj. Dhe kjo është e pafalshme”, tha Krasniqi.

Kryeministri Isa Mustafa tha se diskutimet e tilla në prezencë të shumë bizneseve, janë ndihmesë për orientimet qeveritare në zhvillimin ekonomik të përfshira edhe në Programin Qeverisës, i aprovuar në Qeveri para një jave.
 
“Sepse Programi nuk mund të realizohet në qoftë se ne nuk e kemi përkrahjen dhe në qoftë se ne nuk i bashkërendisim politikat e përbashkëta sidomos me bizneset, por edhe me të gjitha institucionet, por, edhe në qoftë se nuk e kemi përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar dhe përkrahjen ekonomike të ekonomive të zhvilluara të vendeve perëndimore, kah ne dëshirojmë të orientojmë ekonominë tonë”, tha Mustafa, duke shtuar se ekonomia e Kosovës duhet të orientohet kah perëndimi.

“Ne duhet t’i marrim përvojat më të mira gjermane dhe përvojat më të mira të shteteve të tjera evropiane”, tha Mustafa.

Kryeministri tha se qeveria që ai drejton është e gatshme të këmbejë mendimet me bizneset dhe objektivë e dialogut të hapur është që të zhvillohet për të parë se çfarë funksionon në sistemin tonë ekonomik dhe çfarë duhet të ndryshohet në mënyrë që të përshtatet ambienti ekonomik karshi kërkesave të bizneseve dhe karshi nevojave për një zhvillim më të shpejtë, i cili siguron normë më të lartë të punësimit, ulje të varfërisë dhe i cili siguron pjesëmarrjen në ekonominë regjionale dhe në ekonominë evropiane.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets, ka lavdëruar punën e menaxhmentit të ri të OEGJK-së, dhe ka porositur që duhet të dëgjohet zëri i bizneseve dhe të zgjidhen në mënyrën më të mirë të mundshme kërkesat e tyre për punë më të suksesshme.

Ajo ka shtuar se jo rrallë herë ka dëgjuar nga bizneset gjermane aktive në Kosovë për pengesat që kanë në përditshmërinë e tyre.

Ajo ka përmendur edhe largimin e qytetarëve të Kosovës drejt Gjermanisë, duke theksuar se një ndër arsyet kryesore që ata largohen, lidhen me papërspektivën.

“Dhe kjo duhet të merret shumë seriozisht”, ka porositur ambasadorja Viets.

Gjatë kësaj konference, mbi 200 të pranishëm kanë bashkëbiseduar me kreun e ekzekutivit z. Mustafa, ministrat dhe ambasadoren Viets, për telashet më të shpeshta që kanë, duke ofruar edhe alternative për zgjidhje të problemeve të tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)