Krasniqi priti përfaqësuesit e sindikatës RTK-së
Prishtinë, 24 janar - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në një takim përfaqësuesit e sindikatës së pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, të kryesuar nga Fadil Hoxha.
Kryetari i kësaj sindikate e njoftoi kryetarin Krasniqi me shqetësimet e kësaj sindikate lidhur me disa ecuri në këtë medium, sidomos kur është fjala për vështirësitë financiare me të cilat ballafaqohet ai, por edhe me dukuri tjera negative.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se është e nevojshme që të bëhet një auditim i përgjithshëm i performancës së veprimtarisë në RTK.
Sindikata mund ta bëjë një kërkesë në Kuvendin e Kosovës për të shqyrtuar gjendjen në RTK dhe mbi këtë bazë do të mund të procedohet kjo kërkesë për debat në Kuvend, duke synuar që në këtë medium të krijohen mundësi për zhvillime, që përkojnë me rolin që ka RTK-ja në aspektin e informimit sa më cilësor të opinionit.