19 Nëntor 2024

Krasniqi priti një delegacion të kombinatit “Sharr”

Prishtinë, 11 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në një takim, një delegacion të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të kombinatit “Sharr” të  Hanit të  Elezit.

Me këtë rast ky delegacion  shprehu pakënaqësinë për procedurat e ndjekura nga AKM – AKP-ja lidhur me privatizimin e katër fabrikave, të cilat e përbënin “Sharrin” si kombinat: Fabrika Çimentos, ajo e Gëlqeres, Sallonitit dhe e Silkaporit . Ky privatizim u shoqërua me jotransparencë e me shkelje procedurale e ligjore.

“Gjatë procesit të privatizimit, si formë e aplikuar në rastin tonë nuk u morën parasysh aspak interesat e punëtorëve dhe të drejtat e tyre. Nga mbi 1800 punëtorë sa kishte, jashtë marrëdhënies së punës mbetën 1100 sish, të cilët tani  bredhin rrugës pa përkujdesje materiale, morale e shëndetësore.

Në këtë aspekt duhet theksuar posaçërisht rastin e punëtorëve të Fabrikës së Sallonitit, të cilët  me vite punuan në kushte të rrezikshme pune, që si pasojë shumë prej tyre u goditën nga sëmundja e kancerit. Në mungesë të kujdesit institucional në mbrojtjen e të drejtave tona jemi shtrënguar me vite që këto të drejta t’i kërkojmë  përmes protestave”, theksoi  Xheladin Laçi.

Fabika e Çimentos së pari u komercializua nga kompania zviceriane “Hollcim – Company”, e më pas, pa procedurë e pa transparencë iu shit kompanisë “Titan”, e cila nuk ka qenë e përzgjedhur për komercializim. “Sharrcemi” pas afatit kontraktues të komercializimit do të duhej t’i kthehej AKP-së, e cila konform procedurave ligjore do të duhej ta përfshinte në ndonjërën nga valët e rregullta të privatizimit, e jo të veprohej në formën si u shit, theksoi ky delegacion, duke kërkuar njëkohësisht mbrojtje institucionale të punëtorëve në procesin e privatizimit. Në këtë frymë u kërkua që Kuvendi i Kosovës, si institucion më i lartë shtetëror, të merret me këtë çështje dhe të debatojë për procedurat e privatizimit në ndonjërën nga mbledhjet e ardhshme plenare.

Kryetari i Kuvendit Krasniqi theksoi se është në dijeni lidhur me procesin e privatizimit të subjekteve ekonomike, proces ky që është shoqëruar herë- herë edhe me parregullsi, ndërkaq Kuvendi i Kosovës i ka trajtuar këto procese në mbledhje plenare për të cilat është bërë edhe debat dhe janë dhënë rekomandime. U takon organeve kompetente, që merren me zbatimin e ligjit dhe procedurave, që procesi i privatizimit të trajtohet konform këtyre rregullave.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)