Krasniqi: Ndërtimi, ndër sektorët më të rëndësishëm për punësim
Në këtë takim debati, presidenti i OEGJK-së, z. Krasniqi ka tërhequr vërejtjen që këtij sektori t´i kushtohet rëndësi më e madhe, pasi çdo dështim i tij prodhon destabilizim në shumë fusha tjera.
``Kjo pasi, sektori i ndërtimit me gjithë komponentët e veta, është punëdhënësi më i madh në Kosovë në sektorin privat. Si i tillë ai nuk duhet të nënvlerësohet dhe mosmarrja seriozisht me problemet e tij, sjellë konsekuenca të rënda ekonomike për gjithë shoqërinë``, ka thënë z. Krasniqi.
Ai ka theksuar se rastet e krizave të mëdha të shteteve të ndryshme, kanë qenë të ndërlidhura direkt me këtë sektor. I pari i OEGJK-së, ka kujtuar edhe kohën e rreth një viti më parë, kur ky sektor, në veçanti në Komunën e Prishtinës, pati një krizë jo lehtë të përballueshme dhe si rrjedhojë refleksionet negative ishin evidente.
``Andaj është shumë e rëndësishme që bizneset që bëjnë pjesë në këtë fushë, t´u përmbahen kushteve ligjore të vëna, komunat të tregojnë afërsi më të madhe me ndërmarrësit, të japin leje ndërtimet pa burokraci, dhe ta konsiderojnë njëra tjetrën partnere për të mirën e përgjithshme``, tha z. Krasniqi.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës z. Liburn Aliu, tha të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha shoqatat, asociacionet dhe grupet e interesit që gravitojnë në këtë sektor, që të përmirësojnë gjendjen sa më shumë.
``Ju inkurajoj çdo herë që të reagoni, që të na përmirësoni në mënyrë që bashkërisht të mund të bëjmë më të mirën në këtë sektor``, tha z. Aliu.
Ai ka theksuar se në komunën e Prishtinës në të kaluarën, ndërtimet janë bërë mbrapsht, pasi bizneset më parë kanë filluar ndërtimin e më pas kanë aplikuar për leje ndërtimi.
``Dhe ne jemi detyruar që të ndryshojmë këtë situatë. Fillimisht ka pas një ngecje edhe në lejedhënie dhe këtë e pranojmë. Por, më duhet të ju them se këtë vit ne kemi lëshuar 141 leje ndërtimi, që është numri më i madh i lejeve të lëshuara ndonjëherë nga komuna e Prishtinës``, ka thë z. Aliu.
Në këtë konferencë debati, përfaqësuesi i kompanisë ``Nartel`` z. Qerim Zogaj, është fokusuar në zbatueshmërinë e ligjit, duke theksuar se komuna e Prishtinës si dhe vetë ndërtuesit duhet t´i nënshtrohen ligjit në çdo rrethanë. Ai ka ngritur disa çështje specifike, siç ishte edhe Taksa e Densitetit, për të cilën shprehu indinjatë, meqë siç tha ai, përkundër se kjo çështje është ngritur disa herë dhe shumë kohë më parë, ajo akoma nuk është zgjidhur.
Për këtë çështje, drejtori i Urbanizimit në Prishtinë z. Aliu, ka premtuar ulje të saj, duke theksuar se janë duke u shqyrtuar mundësi që ajo të ndryshoj.
Në këtë takim, është debatuar edhe për shumë çështje të ndryshme të ngritura nga ndërtuesit dhe arkitektët, për të cilat z. Aliu ka dhënë zotimin se ato do të shtjellohen, ndryshohen në mënyrë që në komunën e Prishtinës në këtë sferë të krijohet një rregull sa më i mirë i mundshëm.