KPMM jep detaje për gazin natyror në fshatin Torinë
Prishtinë, 23 tetor - Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka njoftuar se ekipi i tyre e ka vështirë të jap ndonjë konstatim profesional mbi origjinën e gazit në fshatin Torinë të Komunës së Lipjanit
Megjithatë ka sugjeruar që institucionet përkatëse të zhvillojnë një studim gjeologjik për të konstatuar gjenezën, përbërjen dhe potencialin real të rrjedhës së këtij gazi.
KPMM thotë se kanë kryer veprimet adekuate profesionale për analizimin e fakteve lidhur me informacionin e publikuar ku është shpërfaqur gazi natyror. KPMM është njoftuar nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës se është duke monitoruar këtë dukuri që nga fund viti i kaluar.
Ata thonë se institucionet e Kosovës janë në rrjedha me këtë dukuri dhe nuk qëndron fakti se askush nga institucionet nuk ka shpreh interesim lidhur me këtë dukuri.
Sipas një komunikate të Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale , duke vlerësuar rrjedhën e këtij gazi si mjaft i rëndësishëm si në aspektin shkencor dhepo ashtu në interes të potencialit të mundshëm ekonomik nga kjo dukuri, delegacioni i KPMM-së në përbërje të Musa Shabanit, kryesues i bordit, Kemajl Zeqiri, anëtar dhe Azem Rexhaj, anëtar i bordit, të shoqëruar edhe nga zyrtari i Komunës së Lipjanit, Aqif Rrahimi me datën 21. 10. 2015, zhvillu an një vizitë në terren në vendin e ngjarjes, në fshatin Torinë të Komunës së Lipjanit.
Pronari Ajet Ajeti me datë 10 shtator 2014, në tentimin e tij për të hapur pusin me qëllim për tu furnizuar me ujë, kishte filluar shpimin me një diametër 130 mm. Gjatë shpimit, diku në thellësinë 52 metra kishte ndodhur një çlirim i gazit me presion, i cili kishte reflektuar edhe në sipërfaqe. Edhe pse të dhënat gjeologjike tregojnë për prezencën e qymyrit në këtë pjesë, sipas pronarit nuk ka mundur të dalloj nëse shpimi ka prekur qymyrin, pasi që shpimi ishte realizuar me rrotullim dhe bluarje të shtresave gjeologjike të tokës, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, duke qen të kufizuar në informacionet e përshkruara nga pronari dhe duke u bazuar në të dhënat e përgjithshme gjeologjike të lokacionit, ekipi i KPMM-së e ka të vështirë të jap ndonjë konstatim profesional qoftë edhe me besueshmëri të limituar mbi origjinën e këtij gazi dhe prezencën e tij në thellësi.
Megjithatë, në bazë të asaj që shihet, ky gazë ka erë, është pa ngjyrë, ka rrjedhë të vazhdueshme dhe relativisht shtypje të vogël, është i ndezshëm. Meqë në këtë lokacion të dhënat gjeologjike flasin për shtrirjen e basenit qymyror të Kosovës, indikacionet fillestare flasin për ndërlidhjen e këtij gazi me qymyrin, e që në aspektin shkencorë janë të njohur si gazra në xhepat, brenda strukturës qymyrore, thuhet në komunikatë.
Ekipi i KPMM-së ka sugjeruar që institucionet përkatëse të zhvillojnë një studim përkatës gjeologjike për të konstatuar gjenezën, përbërjen dhe potencialin real të rrjedhës së këtij gazi.Ata po ashtu kanë rekomanduar SHGJK-së të kryejnë studime të thella gjeologjik, fillimisht duke përdorur metoda përkatëse gjeologjike për hulumtimin e gazit natyror dhe hidrokarbureve, pranë sipërfaqësore e deri në thellësi të mëdha.