KPMM-ja, po bënë përpjekjeje për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional
Prishtinë, 20 korrik - Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri Muhamet Mustafa, si dhe deputetja Sala Berisha - Shala, kryesuese e grupit të punës për monitorimin e zbatimit të Ligjit për miniera dhe minerale, gjatë ditës së djeshme kanë realizuar vizitë pune në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Ata janë pritur nga kryesuesi i Bordit të KPMM-së Musa Shabani, i cili i ka njoftuar lidhur me zhvillimet në industrinë minerare dhe për zhvillimet pozitive në këtë industri, si dhe për progresin e arritur.
Me këtë rast, Shabani ka vënë theksin në realizimin e rentës minerare gjatë këtij viti, duke i njoftuar mysafirët se deri më tani, nga renta minerare janë inkasuar rreth 22 milion euro apo 7.5 % me shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai po ashtu ka njoftuar se KPMM-ja vazhdon të ballafaqohet edhe me sfidat të ndryshme, siç është mungesa e objektit, pastaj veprimtaritë minerare ilegale, lidhur me të cilën ka theksuar se ka pasur progres në drejtim të parandalimit dhe ndalimi të këtyre operuesve. Lidhur me këtë, Shabani është shprehur se situata në këtë fushë kërkon ende angazhim të përbashkët ndërinstitucional.
KPMM-ja, në vazhdimësi po bënë përpjekjeje për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si me policinë, prokurorinë e shtetit dhe inspektoratet komunale. Gjatë këtij takimi, kryesuesi Bordit Shabani, ka thënë se për jetësimin e planit të veprimit për parandalimin dhe ndalimin e operimeve ilegale, kërkojmë edhe mbështetjen nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komisionit Muhamet Mustafa, ndërkaq, nga ana e tij, ka theksuar se KPMM-ja është një institucion shumë i rëndësishëm për vendin, respektivisht, për zhvillimin ekonomik të vendit. Komisioni që unë drejtoj, është shprehur Mustafa gjatë takimit, është mjaft i kënaqur me punën dhe progresin e vazhdueshëm që po behët ne KPMM. Ai po ashtu ka theksuar se KPMM-ja, me seriozitet të lartë ka adresuar edhe rekomandimet e komisionit, dhe në këtë drejtim ka mbështetjen e plotë të komisionit për të vazhduar me punë dhe progres. Komisioni, është shprehur më pas Mustafa, do të jetë në përkrahje të Bordit të KPMM-së për tejkalimin e sfidave dhe rritjen e mëtutjeshme të performancës.
Për rëndësinë e KPMM-së, dhe për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në këtë institucion, ka folur dje gjatë takimit edhe Sala Berisha - Shala, e cila ka theksuar pjesëmarrjen e përbashkët në Konferencën e PDAC-së në Kanada, ku në sajë të prezantimit nga ana Bordit te KPMM-së, është arritur që të jemi pjesë edhe e Forumit të NATO-s për zhvillim ekonomik. Po ashtu, Berisha - Shala ka folur edhe për rëndësinë e plotësim- ndryshimit të Ligjit për miniera dhe minerale, për ta bërë atë sa me atraktiv për investitor.