KPK dhe SOS Fshatrat inaugurojnë punëtorinë “Made in Kosova”
Prishtinë, 23 tetor - Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosova sot inauguruan punëtorinë “Made in Kosova”, qëllimi i së cilës është krijimi i një hapësire e cila mundëson socializmin, ndërgjegjësimin dhe edukimin e të rinjve për orientimin në karrierë.
Klubi i Prodhuesve në bashkëpunim me fondacionin ERTEV është angazhuar që përmes punëtorisë “Made in Kosova”, të ndihmojë fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të cilët përkrahen nga programet e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë.
Punëtoria “Made in Kosova” synon të arrijë objektivat kryesore si krijimin dhe ngritjen e vetëbesimit si dhe marrjen e përgjegjësive tek të rinjtë; të mësuarit mbi njohuritë bazike teknike; nxitjen e kreativitetit, mendimin inovativ dhe zgjidhjen e problemeve, informimin dhe përgatitjen për orientimin në karrierë në të ardhmen.
Gjatë ceremonisë inauguruese, kryetari i Klubit të Prodhuesve Fejzulla Mustafa u shpreh që “Klubi përvec aktiviteteve dhe punëve të cilat i ka të përditshme, ka filluar përfshirjen dhe përkrahjen edhe ndihmën me projekte edhe për SOS Fshatin. Kjo punëtori do të bëjë aftësimin profesional për gjeneratat që po vijnë dhe ky do të jetë vetëm fillimi për zgjerimin në projekte tjera për të rinjtë.”
Astrit Panxha – Drejtor Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve falenderoi SOS Fshatin për hapsirën e dhënë në këtë projekt, por posaqërisht e falenderoi partnerin e Klubit, fondacionin ERTEV në vecanti Fahrettin Gülener që së bashku mundësuan realizimin e këtij projekti. “Shpresojmë që këta të rinjë do të punësohen në të ardhmen në fabrikat e anëtarëve tanë.”
Ndërsa, drejtoresha nacionale e SOS Fshatrave- Nezahat Salihu u shpreh që “Ne si organizata SOS kujdesemi për fëmijë dhe investojmë në edukimin profesionl të fëmijëve tanë. Me ndihmën dhe përkrahjen e Klubit, është mundësuar kjo punëtori e cila do të kultivojë një kulturë punë tek të rinjtë tanë, do të jetë hapësirë për mësimnxënie dhe aftësim profesional.”
Punëtoria “Made in Kosova” përmban programe të cilat janë aktivitetet pas shkollore alternative për fëmijët dhe të rinjtë të moshës 8 deri 21 vjeç ku do të përfshihen klasa e drurit; klasa metalike; programim 3D dhe klasa e Origamit. Punëtoria gjendet në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Velani – Prishtinë.