Kostoja e ligjit për pensionin e punëtorëve të arsimit arrin në 30.4 milionë euro
Prishtinë, 28 maj - Instituti GAP sot ka mbajtur tryezë diskutimi me temë “Ndikimi buxhetor i Ligjit për pensionin meritor të punëtorëve të arsimit shqip të viteve ’90”.
Agron Demi, Drejtor i Programeve në Institutin GAP, theksoi se ky projektligj i garanton pension të gjithë punëtorëve të arsimit të viteve ‘90, madje edhe atyre me vetëm një vit kontribut në sistem arsimor.
Punëtorët e arsimit të cilët kanë kontribuar 1-5 vite në arsim në vitet ‘90, do të marrin 65% të pagës bazë, ndërsa ata që kanë kontribuar 5-10 vite do të marrin pension prej 75% të pagës bazë në arsim.
Nga ky ligj do të përfitojnë rreth 23 mijë persona, ndërsa në rast të vdekjes së tyre si bartës të pensioneve, pensioni bartet tek bashkëshortët.
Sipas tij, kostoja e këtij ligji është nënvlerësuar, madje Ministria e Financave nuk ka aprovuar buxhet për vitin 2018 sa i përket kësaj iniciative.
Ai gjithashtu theksoi se për vitet 1992-1998 janë grumbulluar afër 200 milionë marka, 91% e të cilave u shpenzuan në arsim.
Blendi Hasaj, Hulumtues në Institutin GAP, theksoi se në llogaritjen e Ministrisë së Financave nuk janë marrë parasysh disa faktorë që ndikojnë në rritjen e kostos buxhetore për këtë ligj.
Sipas një skenari të kalkuluar nga Instituti GAP, kostoja e ligjit për periudhën 2019-2020 pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro, apo për 16.1 milionë euro (114%) më e lartë se sa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave për të njëjtën periudhë.
Sipas tij, është supozuar që të gjithë përfituesit nga ky ligj kanë pension 240 euro dhe nuk janë kalkuluar kostot për përftimet shtesë nga ky ligj.
Duke parë rritjen e vazhdueshme të skemave sociale në bazë të kategorive si dhe aprovimi i ligjeve të veçanta për kategori të ndryshme, Qeveria e Kosovës duhet t’i rishikojë të gjitha skemat sociale, sidomos pensionet në bazë të kategorive, duke aprovuar një ligj të ri bazik për pensionet e financuara nga shteti, në të cilën përfshihen të gjitha këto kategori.
Zv. Ministri i Financave, Fatmir Gashi, theksoi se Instituti GAP ka të ëdrejtë se kostoja e këtij projektligji është nënvlerësuar. Sipas një skenari të llogaritur nga Minsitria e Financave, kostoja e këtij projektligji do të jetë rreth 230 milionë deri në vitin 2031.
Gashi gjithashtu theksoi se ky ligj e rrezikon stabilitetin financiar të vendit dhe gjithashtu do të nxisë edhe kategori tjera të kërkojnë beneficione nga buxheti i shtetit.
Lumir Abdixhiku, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, theksoi se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Financave kanë sjellë kalkulime të ndryshme në Kuvendin e Kosovës.
Abdixhiku theksoi se Kuvendi i Kosovës nuk duhet ta aprovojë këtë ligj pa e ditur koston e saktë. Ai premtoi se do t’i përcjellë rekomandimet e Institutit GAP në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
Në tryezë morën pjesë edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të sindikatave të arsimit, dhe ekspertë të tjerë të arsimit.