Kosovës i flejnë 884 milionë euro në mungesë të ligjit
Prishtinë, 24 mars - Kosova i ka rreth 68 milionë tonë mbetje minerale, të cilat në tregun momental kushtojnë më shumë se 884 milionë euro.
Mirëpo, pos vlerës financiare që mund ta përfitojë Kosova nga këto mbetje, ato paraqesin edhe rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve. E konsideruar si pasuri në dëm të shëndetit të njerëzve, kjo mbetje minerale ende është pa destinim, sepse Ligji për mbetjet minerale tash e dhjetë vjet nuk është miratuar e, po ashtu, as Ligji për Trepçë-n.
Të hulumtohet tregu për shitjen e mbetjeve minerale
Deputeti i Lëvizjes për Bashkim (LB) dhe anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Raif Qela, ka thënë se po të hulumtohen tregjet botërore, këto mbetje minerale mund të shiten edhe më shtrenjtë sesa tregu momental. Jam i bindur se me pak hulumtim mbetjet minerale mund të shiten në tregun botëror me çmim shumë më të volitshëm sesa ky, por edhe po të shiten krejt depozitat e mbetjeve minerale me çmimin e kontraktuar së fundmi, del se vlera e mbetjeve minerale të ndërmarrjes Trepça është rreth 884 milionë euro, ka thënë Qela për gazetën Epoka e re.
Ai ka treguar se mbetjet minerale të ndërmarrjes Trepça janë pasuri që nuk duhet të nënçmohen. Kosova ka rreth 68 milionë tonë mbetje minerale. Mbetjet minerale dalin nga procesi i flotimit, si dhe nga procesi metalurgjik. Për shkak se në të kaluarën teknologjia e nxjerrjes së metaleve prej mineraleve ka qenë e prapambetur, kurse as tani nuk kemi teknologji të përparuar, një pjesë e konsiderueshme e metaleve ka mbetur e pashfrytëzuar.
Ato pjesë të pashfrytëzuara quhen mbetje minerale, të cilat në rastin tonë janë të depozituara përreth ndërmarrjes Trepça. Me teknologjitë e reja të përparuara, gati 100 % të përbërjeve metalike nxirren prej këtyre mbetjeve minerale. Për këtë arsye, mbetjet minerale kanë vlerë të konsiderueshme, ka deklaruar ai, duke shtuar se, sipas bindjes së vet, nuk është vërejtur se mungesa e Ligjit për mbetjet minerale ta ketë dëmtuar shumë Trepçë-n. Probleme të tjera të shumta e dëmtojnë sot ndërmarrjen Trepça, të cilat janë: në radhë të parë mungesa e Ligjit për Trepçë-n, nëpërmjet të cilit do të ishte sqaruar statusi pronësor i saj dhe kështu do ti hapej rruga për rivitalizim të këtij gjiganti ekonomik. Edhe pa ekzistencën e këtij ligji, para ca kohësh rreth 400 mijë tonë mbetjesh minerale i janë shitur një kompanie vendore (Geokos A&A, sa më kujtohet, me çmim simbolik prej 13-eurosh për ton. Kjo kompani vendore i ka stërshitur ato mbetje në Kinë. Të ardhurat nga kjo shitje i ndihmuan ndërmarrjes Trepça që të gjallojë edhe për pak kohë, ka thënë Qela.
Ai është shprehur i bindur se me pak hulumtim në tregjet botërore mbetjet minerale do të mund të shiteshin me çmim edhe më të lartë. Jam i bindur se me pak hulumtim mbetjet minerale mund të shiten në tregun botëror me çmim shumë më të volitshëm sesa ky, por edhe po të shiten krejt depozitat e mbetjeve minerale me çmimin e kontraktuar së fundmi, del se vlera e mbetjeve minerale të ndërmarrjes Trepça është rreth 884 milionë euro, ka thënë ai.
I pyetur rreth mundësisë së kontrabandimit me këto mbetje minerale, Qela është përgjigjur: Unë nuk kam informacion se si pasojë e ngecjes së këtij ligji janë duke u kontrabanduar vlera të mëdha parash. Kontrabandime të tilla mund të ndodhin me a pa ligj. Nuk është diçka e re për shoqërinë tonë edhe po të kenë ndodhur. Një herë ka pas qenë e ndaluar shitja e tyre nga AKP-ja, e cila është administratore e Ndërmarrjes Trepça. Për shkak se disa prej përbërësve të këtyre mbetjeve minerale kanë potencial të lartë toksik (sidomos volframi, arseni e kadmiumi), është e nevojshme të gjendet treg sa më parë për to, sepse ka mundësi të kemi telashe edhe për shkak të ndotjes së ambientit tonë, edhe për shkak se do të detyrohemi në të ardhmen e afërt tu përmbahemi standardeve evropiane për pastërtinë e ambientit.
Në një rast të tillë nuk e përjashtoj mundësinë që kur të na caktohen afate kohore për plotësim të kritereve të standardeve për ambientin, kjo pasuri potenciale të na shndërrohet në mallkim, sepse mund të vijmë në situatë që të paguajmë vetëm për ta hequr qafe atë, ka thënë Qela, duke shtuar se marrë pasur parasysh se vlera reale e mbetjeve minerale është shumë më e lartë sesa mund të shiten ato aktualisht, si dhe duke e pasur parasysh se teknologjia moderne për nxjerrjen e krejt përbërësve të vlefshëm nga këto mbetje minerale është tani shumë e kushtueshme (por që mund të bjerë me kohë), disa shtete i kanë groposur nën dhe këto rezerva, duke shpresuar për ditë më të mira.
Mbetjet minerale rrezikojnë shëndetin e qytetarëve
Ndërkaq sa i përket çështjes së ambientit, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Ilir Morina, ka thënë për gazetën Epoka e re se e kanë ngritur këtë problem qysh dhjetë vjet më parë. Morina ka thënë se mbetjet minerale paraqesin rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve të Kosovës, pasi ato prodhojnë materiale toksike, të cilat mund të trashëgohen te fëmijët. Sipas tij, asnjëherë më parë skemi pasur fëmijë me kaq shumë sëmundje dhe sindroma. Ne kemi bërë studime të shumta në bashkëpunim me Qeverinë Çeke dhe kompani të tjera. Ne si agjenci në raportet tona kemi potencuar se ndotjet më të mëdha në Kosovë janë nga Trepça dhe shtatë deponitë me mbi 45 milionë mbetje nga plumbi dhe zinku, të cilat përmbajnë metalet më të rënda të mundshme për ambientin, ajrin tokën dhe ujin.
Aty ekziston çdo element toksik tepër i rrezikshëm. Këto mbetje, të cilat janë të deponuara gabimisht, janë burim i shumë kontaminimeve dhe rezultatet nga organizatat botërore të shëndetit tregojnë se njerëzit që jetojnë rreth deponive të tilla kanë sasi të plumbit në gjak tri herë më shumë sesa është e lejuar, ka thënë Morina, duke shtuar se, përveçqë janë rrezik potencial për shëndetin e njeriut, dëmtimet nga këto mbetje mund të trashëgohen, pasi janë kontaminime të rrezikshme. Nga këto mbetje rrezikohen sidomos shtatzënat, fëmijët e të cilave mund të lindin me sindroma të shumta. Edhe sot po ballafaqohemi me sëmundje dhe sindroma, të cilat nuk i kemi pasur asnjëherë më parë, ka thënë ai, duke shtuar se kurrë Trepça si ka deponuar si duhet këto minerale dhe kurrë shteti i Kosovës ska marrë masa të duhura ndaj këtij ndotësi të madh të ambientit. Ndërkaq sa i përket mundësisë që këto mbetje të groposen dhe të ruhen në rast se vlera e tyre ndryshon në tregjet botërore, Morina ka thënë se ai ka qenë iniciator i kësaj ideje. Në Ligjin e ri e kam pas dhënë këtë ide, por tani nuk e di se deri ku ka arritur draftimi i tij, pasi ende nuk është miratuar, ka thënë Morina.
Mbetjet minerale mund të sjellin të hyra
Drejtori i ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava, ka thënë se mbetjet janë asete që mund të valorizohen dhe të sjellin të hyra financiare. I pyetur se sa është vlera financiare nga mbetjet minerale, Tmava është përgjigjur se konkurrenca e cakton vlerën e tregut. Konkurrenca e tregut e cakton vlerën. Vlerat mund të jenë të mëdha, por nuk është fer të flitet për vlera, sepse disa nga sasitë e gjetjeve mund transportohen apo të ndahen në disa kategori dhe mundësia e valorizimit ia përcakton vlerën, është shprehur ai.
Po punohet në Ligjin për Trepçë-n
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka thënë se është duke u punuar për Trepçë-n. Qeveria e ka krijuar një ekip, i cili po punon për hartimin e Ligjit për Trepçë-n, ndërsa Agjencia e Privatizimit po e bën një studim të fizibilitetit, ka thënë Mustafa. Ndërkaq sa iu përket humbjeve, të cilat mund të shkaktohen nga asetet e mbetjeve minerale, Mustafa ka thënë se kjo është një çështje e ndërlikuar, për të cilën duhet studim. Deri më tani nuk ka pasur dëm në buxhet, por është shumë me rëndësi që deri në fillim të shtatorit çështjet për Trepçë-n të jenë të qarta. Besoj se drafti i këtij ligji do të bëhet gati në qershor, e studimi në shtator, ka deklaruar ai.