03 Maj 2024

Kosovës i duhet buxhet të zhvillimit

Prishtinë, 21 nëntor - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se buxheti i vitit 2012 duhet të krijojë më shumë mundësi për zhvillim. Ai në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se Qeveria e Kosovë duhet të shikojë më shumë mundësi ta përkrahë sektorin privat, pasi praktikat e deritanishme në shumë vende të botës kanë treguar se investimi dhe përkrahja për këtë sektor krijojnë më shumë mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës.

Gërxhaliu i është kundërpërgjigjur edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka propozuar të pushohen punimet në autostradë për një vit. Sipas Gërxhaliut, idetë e tilla nuk janë të mira dhe janë jorealiste, pasi Kosova për të pasur zhvillim dhe prosperim drejt rrugës së integrimeve euroatlantike, duhet t’i ndërtojë të gjitha rrugët magjistrale. Ai ka propozuar që edhe autostrada në drejtim të Shkupit të fillojë sa më shpejt.

Sipas tij Kosovës i duhet një buxhet pragmatik, i cili duhet të jetë i zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës. Unë e kam analizuar buxhetin e vitit 2012, i cili edhe këtë herë do të mblidhet më shumë nga aspekti tregtar dhe importi. Është diçka që më shqetëson, pasi shumica e buxhetit do të mblidhet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Kjo nuk është e mirë, pasi shoqëria kosovare po shndërrohet në konsumuese e jo në prodhuese. Pra, është koha ta ngremë dhe forcojmë sektorin privat. Nuk duhet të eksportojmë vetëm para në shtetet e rajonit dhe të Evropës.

Për rritjen ekonomike të Kosovës, sipas Gërxhaliut, këto rrethana kur kriza në botë është fakt dhe ku po ka përpjekje të shteteve që të dalin nga kjo krizë, supozimi se rritja e ekonomisë së Kosovës prej 5-përqindësh ndoshta është një nguti dhe duhet të analizohet mirë. \"Besoj se institucionet e Kosovës duhet ta shikojnë seriozisht se si duhet të rritet zhvillimi ekonomik duke i gërshetuar të gjithë pjesëmarrësit relevantë në Kosovë, që vendi të ketë zhvillim dhe prosperim ekonomik. Prioritet i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në mënyrë që ato të hapin më shumë mundësi për zhvillim dhe hapje të vendeve të reja të punës\", ka pohuar ai.

Gërxhaliu ka folur edhe për punimet në autostradë.
\"Nuk besoj se ka zëra që e kundërshtojnë ndërtimin e rrugëve në Kosovës, posaçërisht ndërtimin e autostradave, që është parakusht për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta lidhur atë me rajonin dhe Evropën. Ndërtimi i autostradës hap shumë mundësi që Kosova të ketë kyçje në rrjetet rajonale dhe evropiane. Integrimi politik i Kosovës ka parakusht integrimin ekonomik dhe një ndër kushtet për integrime është edhe ndërtimi i autostradave. Për ta parë se sa e rëndësishme është ndërtimi i autostradës duhet të përshkohet ajo rrugë dhe me këtë do të binden ata që kanë hamendje për ndërtimin e saj. Ata që do të përshkojnë 38 kilometrat e parë do ta shohin një mrekulli\", ka theksuar ai


Gërxhaliu ka përkrahur edhe ndertimin e autostradës për Shkup.
\" Kosova duhet sa më shpejt t’i ndërtojë rrugët. Edhe pse buxheti i vitit 2012 nuk ka paraparë të investojë në ndërtimin e rrugës për Shkup, besoj se në një të ardhme të afërt edhe kjo rrugë do të fillojë të ndërtohet. Ka shumë kërkesa që edhe rruga nga Prizreni në Tetovë të ndërtohet, sepse do t’i lidhë dy qytete shqiptare që kanë pasur shumë zhvillim\", ka deklaruar ai

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)