29 Dhjetor 2024

Kosovë - Slloveni, bashkëpunim ekonomik i shkëlqyeshëm

Prishtinë, 9 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zhbogar. Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë.

Duke i vlerësuar lartë marrëdhëniet mes të dyja vendeve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar ministrin e jashtëm slloven për mbështetjen e Sllovenisë dhënë Kosovës në të gjitha fushat.

Kryeministri Thaçi në veçanti ka potencuar bashkëpunimin e deritanishëm me investitorët dhe afaristët sllovenë dhe ka theksuar vazhdimin e përkrahjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës për investitorët sllovenë në Kosovë.

Duke ftuar edhe investitorët e tjerë sllovenë të vijnë në Kosovë, kryeministri Thaçi ka thënë se bashkëpunim i shkëlqyeshëm ekonomik do ta forcojë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm politik në mes të vendeve tona.

Në vazhdim të takimit, kryeministri Thaçi është ndalur edhe tek procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke theksuar se veprimet e institucioneve të Kosovës pas këtij procesi këshilldhënës do të jenë të koordinuara mirë me miqtë ndërkombëtarë.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kufijtë tanë janë të pacenueshëm. Perspektiva Evropiane për Kosovën është e sigurtë, ne jemi të angazhuar fuqishëm në procesin e përmbushjes së të gjitha kritereve për anëtarësim në BE dhe në NATO. Ne i kemi dorëzuar përgjigjet tona në pyetësorin për marrëdhëniet tregtare me BE-në dhe tashmë i presim rekomandimit nga BE-ja. Qeveria e Kosovës është poashtu gati për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave” – tha z.Thaçi.

Më tej, kryeministri Thaçi riafirmoi faktin se Republika e Kosovës ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira dhe marrëdhënie diplomatike me fqinjët tanë, me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ndërsa në një të ardhme të afërt presim të ndërtojmë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura. Bashkëpunimi rajonal është në interes të paqes, të stabilitetit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të të gjithë rajonit – u shpreh kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Žbogar ka falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Republikës së Sllovenisë. Këto marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe vetëm sa do të thellohen, në interes të të dyja vendeve – tha Zhbogar.

Ne do të vazhdojmë ta mbështesim suksesin e shtetit të Kosovës, duke ndihmuar posaçërisht në procesin e njohjeve për Kosovën, dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare.

Kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm slloven, Žbogar janë pajuar për zgjerimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në siguri dhe në kulturë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)