19 Nëntor 2024

Kosova vazhdon të zhytet në korrupsion

Prishtinë, 3 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka lansuar të martën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2013, nga Transparency International. Ky raport paralajmëron se abuzimi me pushtetin, marrëveshjet e fshehta dhe ryshfeti, vazhdojnë të rrënojnë shoqërinë në gjithë botën.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013 tregon se të gjitha vendet përballen  me kërcënimin e korrupsionit të të gjitha niveleve të qeverisjes, që nga nxjerrja e lejeve dhe liçensave të ndryshme,  e deri tek zbatimi i  ligjeve dhe rregulloreve.

Merita Mustafa nga KDI/TIK, gjatë prezantimit të raportit, ka thënë se Kosova në këtë indeks notohet si një ndër vendet me nivel të lartë të korrupsionit, e renditur në vendin e 111-të, në grupin e shteteve si Gaboni, Tanzania, Etiopia dhe Sierra Leone. Sipas saj, një rangim i tillë tregon për nivel alarmant të korrupsionit në vendin tonë, pasi që të gjitha vendet e rajonit pa-krahasimisht qëndrojnë më mirë se ne, me përjashtim të Shqipërisë.

“Krahasimi me vendet e BE-së as që mund të vij në shprehje,  pasi që ekziston një dallim shumë i madh, ku  në krahasim me Danimarkën, Kosova gjendet 110 vende më  larg, ndërsa, me Kroacinë si një shtet që gjendet më afër nesh, ne gjendemi 54 vende më larg”, ka thënë Mustafa në konferencën për media.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, Danimarka dhe Zelanda  e Re radhiten në vendin e parë,  si shtete që kanë më së paku  korrupsion. Ndërsa Afganistani , Koreja e Veriut dhe Somalia radhiten si më të korruptuarat.

Sipas Mustafës, renditja e vendit tonë në një pozitë kaq të ulët, tregon më së miri për mungesën e angazhimit dhe pavendosmërinë e institucioneve të vendit për ta luftuar korrupsionin.

“Kjo, madje tregon se vendi ynë përpos përgatitjes së ligjeve, nuk ka bërë asnjë hap më shumë në luftën kundër korrupsionit, sepse që nga viti i kaluar, ne vetëm sa kemi shënuar rënie në këtë indeks”, ka thënë ajo. Krahasuar me vitin e kaluar, Mustafa ka shtuar se Kosova tanimë ka pësuar një rënie prej 6 vendesh, gjë që tregon një indikacion shumë serioz, sepse rithekson mungesën e rezultateve konkrete në luftimin këtij fenomeni.

“KDI thekson se kësaj renditjeje padyshim që i ka kontribuar klasa politike e korruptuar, gjyqësori jo efektiv, administrata publike e politizuar dhe jo profesionale, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike, si dhe mungesa e lirisë së shprehjes”, ka deklaruar Mustafa.  

Ajo më tej ka vlerësuar se vendet që janë radhitur të parat, tregojnë se si transparenca mbështet përgjegjshmërinë dhe mund të ndalojë korrupsionin.

Duke i marrë shembull vendet të cilat kanë  nivel të ulët të korrupsionit, Kosova siç tha ajo mund të përmirësoj pozitën e saj, e sidomos duke e ndjekur shembullin e Kroacisë,  e cila për të treguar vendosmëri në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, trajtoi edhe rastet më të vështira, duke atakuar edhe ato të nivelit më të lartë politik.

KDI konstaton se niveli i tillë i korrupsionit dhe degradimi i vazhdueshëm institucional, i cili çdo vit po shënon rritje të korrupsionit, mund të ndalohen vetëm me mobilizim qytetarë, që nënkupton raportim të rasteve korruptive dhe kërkim të llogaridhënies nga ana e udhëheqësve të shtetit. Një nivel i tillë i korrupsionit është i papranueshëm për vendin tonë, andaj kërkohet që të ndërmerren masa rigoroze për të ndaluar këtë kërcënim, i cili çdo ditë e më shumë po i kanoset Kosovës.

“Ne besojmë se është koha e fundit kur Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera publike të ndërrojnë shprehitë dhe mentalitetin e të qenit të mbyllur karshi publikut, nga ana tjetër të ofrojnë më shumë transparencë dhe llogari para publikut për çdo vendim të rëndësishëm dhe për çdo cent të shpenzimit  të parasë publike.\"

\"Ne gjithashtu, kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit, Policia dhe Gjyqësori, që të fillojnë të merren seriozisht dhe me vendosmëri me luftimin e akteve korruptive, pa kompromis dhe në të gjitha instancat qeverisëse”, ka thënë ndër tjera Mustafa.

KDI po ashtu, i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës që të ashpërsoj kontrollin ndaj Qeverisë në shfrytëzimin e pronës dhe parasë publike, në mënyrë që të pengohet zhvatja e saj dhe pasurimi i paligjshëm i zyrtarëve të lartë, i cili po vazhdon të rritet pa u penguar nga askush dhe në përmasa  shqetësuese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)