Kosova vazhdon të vlerësohet si një vend shumë i korruptuar
Prishtinë, 24 shkurt - Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të vlerësohet si një vend shumë i korruptuar.
Gjatë këtyre viteve është vërejtur një mungesë serioze e vullnetit politik dhe insititucional në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk ka dhënë rezultatet e pritura veçanërisht për shkak të mekanizmave të shumtë të krijuar për këtë qëllim.
Për më tepër, këto mekanizma për luftë kundër korrupsionit kanë mandate të paqarta që shpie deri tek konfuzioni institucional dhe mos-efikasiteti.
Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) ka publikuar raportin Lufta kundër Korrupsionit: Analizë krahasuese mes Kosovës dhe Kroacisë, i cili adreson çështjen e nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë, me theks të veçantë në krahasimin mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Zyrës për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK) të Kroacisë.
Modeli i USKOK-ut është një shembull i përshtatshëm për homologun e këtij organi në Kosovë, sidomos për shkak të rezultateve që ajo ka qenë në gjendje të ofrojë në rrugën e Kroacisë drejtë BE-së.
Sipas autorëve të këtij raporti, themelimi i mekanizmave të ndryshëm dhe krijimi i task forcave rrezikon zbatimin e ligjeve dhe politikave ekzistuese duke shpenzuar buxhetin në drejtime të ndryshme ndërsa rezultatet në luftën kundër korrupsionit duken të dobëta dhe numri i dënimeve mbetet i ulët.
Thjeshtësimi i rolit dhe përgjegjësisë së secilit institucion me institucionet udhëheqëse të caktuara në luftën kundër korrupsionit është shansë që Kosova nuk duhet të humbasë. Ky është mësimi kyq i mësuar nga rasti i Kroacisë.
Kosova mund të përdorë mësimet dhe praktikat nga vendet e tjera që kanë luftuar me sukses
korrupsionin si për shembull Kroacia që ka një eksperiencë shumë të mirë në këtë fushë.
Zyra për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është analizuar si model për Kosovën për të përdorur dhe potencialisht të përshtatet me mandatin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Në përputhje me fushëveprimin e USKOK-ut PSRK-ja e reformuar duhet të jetë autoriteti udhëheqës në vend posaçërisht në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar me një strukturë të qartë të punonjësve të tyre të policisë, prokurorëve special dhe ekspertëve.
Për më tepër, duke përfituar nga praktikat e mira të USKOK-ut, PSRK-ja në Kosovë duhet të rrit transparencën e saj nëpërmjet përforcimit të marrëdhënieve të saj me publikun.