Kosova thellon bashkëpunimin ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe
Prishtinë, 11 qershor - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila priti sot Ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sultan bin Saeed Al Mansouri me të cilin diskutoj për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në investime.
Ministrja Kusari-Lila fillimisht e informoj ministrin Al Mansouri për ambientin e të bërit biznes, mundësitë për të investuar në Kosovë, posaçërisht projektet si Resorin Brezovica, Aeroportin e Gjakovës si dhe Projektet të Energjisë.
Gjithashtu, ajo përmendi Zonat e Lira Ekonomike si mundësi për investime, ku Ministri i Ekonomisë Sultan bin Saeed Al Mansouri, u shpreh i gatshëm të ndihmoj në ndarjen e eksperiencave të tyre.
Në anën e tij, ministri Al Mansouri shprehu interesim për marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet e BE-së, SHBA-të dhe më gjerë si dhe për potencialin që ka vendi ynë për eksport.
Pas diskutimit njoftues dhe mundësive të bashkëpunimit, të dy palët u dakorduan që të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi për Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve në mes të dyja vendeve, e cila pritet të ndodh gjatë këtij viti.
Shtesë kësaj, të dy ministrat u pajtuan të organizohet Forumi Ekonomik për promovimin e investimeve, e cila do të mbahet në Dubai gjatë këtij viti, ku bizneset nga Kosova dhe Emiratet e Bashkuara do të kenë mundësi të bashkëpunimit.
Po ashtu, Ministri i Ekonomisë Al Mansouri, u shpreh i gatshëm për ndarjen e eksperiencës së tyre në Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme si dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve me Kosovën.
Pas takimit, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila, e shoqëroi ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për në Qendrën për Shërbimin të Biznesit duke e informuar për së afërmi për procedurat e fillimit të biznesit, marrjen e licencave si dhe për reformat e radhës për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes.
Vizita e Ministrit Al Mansouri vjen si rezultat i vizitës së mëparshme të zëvendëskryeministrit të parë Behxhet Pacollit dhe zëvendëskryeministres Mimoza Kusari Lila në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kanë shënuar rritje për vitin 2012 krahasuar me vitin 2011. Importet janë ngritur për 82%, ndërsa eksportet për 8%.