Kosova thellon bashkëpunimin ekonomik me Emiratet Arabe
Prishtinë, 12 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan, i cili ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Pas takimit, dy ministrat kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e aviacionit civil, si dhe kanë shprehur vullnetin e dyanshëm për thellimin e gjithanshëm të shkëmbimeve, veçanërisht atyre ekonomike, ndërmjet dy vendeve.
Gjatë një konference për medie, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, vlerësoi lartë kontributin e Emirateve dhe homologut të tij nga ky shtet për Kosovën, duke përfshirë edhe ndihmën e madhe që ai ka dhënë në sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i parë arab që e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, tha Hoxhaj, duke përmendur edhe fushat e tjera ku ky shtet ka dhënë kontribut për Kosovën në ndërtimin e shtetit.
Ai tha se Kosova është e vendosur për thellimin e marrëdhënieve me Emiratet. Do të kemi bashkëpunim të ngushtë ekonomik dhe do të ketë një mbështetje sa i takon fondit për zhvillim dhe punësim, iniciativë që e ka marrë kryeministri Thaçi para disa javësh, për projekte në sektorin e bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative, transportit, energjisë dhe të hekurudhave, tha Hoxhaj.
Ai shtoi me tutje se me homologun nga Emiratet janë pajtuar që me mbështetjen e tij të organizohet në një të ardhme të afërt një forum të investime në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Hoxhaj po ashtu njoftoi se pas kësaj vizite Republika e Kosovës ka vendosur që të hap Ambasadë në Emiratet e Bashkuara.
Sa i takon marrëveshjes së nënshkruar, ministri Hoxhaj bëri të ditur se qëllimi i saj është ndërkombëtarizimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, duke qenë një ndër aeroportet më moderne në Ballkanin Perëndimor.
Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan, u shpreh i lumtur për vizitën në Kosovën e pavarur dhe sovrane.
Ai tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë krenare për kontributin në misionet paqeruajtëse menjëherë pas luftës në Kosovë, për vendosjen e paqes në kuadër të projektit ndërkombëtar për rivendosjen e stabilitetit në vend.
Unë jam i lumtur që e shoh Kosovën më stabile dhe është shumë më të hapur për investime, për turizëm dhe për këtë qëllim Emiratet janë pajtuar me Qeverinë e Kosovës për mbajtjen e një forumi për investime, një forum ekonomik që do të mbahet në Emirate, tha sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Ai po ashtu bëri të ditur se Emiratet kanë bërë çdo gjë për vendosjen e stabilitetit në Kosovë dhe se ai po punon për sigurimin e më shumë njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve, vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar në fushën e aviacionit civil, duke theksuar edhe fushat e tjera të bashkëpunimit të cilat pritet të thellohen, veçanërisht pas forumit të investimeve që pritet të mbahet në Emirate, duke u shprehur i bindur se kjo do të reflektojë në shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve.