Kosova të adresojë me urgjencë përgatitjen e kuadrove të fuqisë punëtore
Prishtinë, 21 shtator - Përgatitja e kuadrove të kualifikuar të fuqisë punëtore që reflekton nevojat e sektorit privat përbën një ndër sfidat kryesore të Kosovës në aspekt të zhvillimit ekonomik.
Kjo temë si dhe ndikimi që përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave pritet të ketë në tregun e punës në Kosovë u trajtua në tryezën e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me titull “Disponueshmëria e Fuqisë Punëtore në Kosovë”.
Ilir Ibrahimi, President i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, theksoi se përkundër shifrave shqetësuese të papunësisë në vend, ndërmarrjet në Kosovë ballafaqohen me sfida jashtëzakonisht të mëdha në gjetjen e kuadrove të kualifikuara.
Sipas tij, këto vështirësi përkthehen në mundësi të humbura për Kosovën në zhvillimin e sektorit privat dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të vendit.
Ibrahimi tha se krahas nevojës që t’i kushtohet një rëndësi më e madhe shkollimit profesional në vend, duhet që edhe sektori privat të kontribuojë në këtë fushë në mënyrë që të mundësohet një adresim më i mirë i nevojave të tregut të punës.
Lah Nitaj, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, përmendi arritjet e institucionit të cilin ai drejton duke theksuar gjithashtu nevojën për ngritje të kapaciteteve njerëzore përmes një bashkëpunimi të mirëfilltë të sektorit publik dhe atij privat.
Nitaj, theksoi se fatmirësisht Kosova ka Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve që është në linjë me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, mirëpo duhet të punohet më tej që të nxiten institucionet e arsimit në vend, e në veçanti shkollat profesionale që të ndjekin procedurat e akreditimit. Ai njoftoi se 4 qendra të kompetencës tanimë janë në proces e sipër të akreditimit.
Sharon Hart, Presidente e RIT Kosovo (AUK), theksoi se Kosova ballafaqohet me një problem serioz i cili nëse nuk trajtohet do të zhvillohet në përmasa të cilat do të ndikojnë shoqërinë në tërësi.
Specifikisht, Hart përmendi se hulumtimet e zhvilluara së fundi nga organizata të ndryshme në vend tregojnë se rinia kosovare ka prirje që të migrojë drejtë vendeve të zhvilluara në kërkim të mundësive të punësimit, gjë që mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën sa i përket boshllëkut të shkathtësive në vend.
Hart theksoi rëndësinë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit mes institucioneve private dhe publike të arsimit me sektorin privat në vend, si një hap kyç në krijimin e një fuqie punëtore që i përshtatet nevojave të tregut.
Tim Sparkman, Drejtor i Projektit Enhancing Youth Employment, sqaroi rolin që projekti ka në këtë fushë, duke potencuar se procesi i liberalizimit të vizave pritet të ndikojë në disponueshmërinë e fuqisë së kualifikuar punëtore në vend.
Sparkman tha se shkollimi profesional duhet të kultivohet dhe promovohet më tej tek të gjitha palët e interesit, marrë parasysh sukseset që shtetet si Gjermania apo Zvicra kanë pasur në këtë aspekt përmes sistemit dual të arsimit.
Sparkman theksoi se Kosova ka një potencial të madh për të zhvilluar një fuqi punëtore të kualifikuar, kjo duke marrë parasysh dhe angazhimin e drejtorëve të shkollave me të cilat projekti i tij punon për të adresuar çështjet në lidhje me aftësimin e fuqisë punëtore.
Driton Hapçiu, Drejtor Ekzekutiv në Cacttus, theksoi se bizneset ballafaqohen me një sërë problemesh ku nga ata ndër më të theksuarat është aftësimi i fuqisë punëtore në një kohë kur nevojat e tregut janë në rritje.
Hapçiu theksoi se sektori i teknologjisë informative i cili edhe pse përbën një nga sektorët kyç të ekonomisë, është subjekt i kostove të larta të aftësimit të fuqisë punëtore.
Për më tepër, Hapçiu theksoi dhe trendin në rritje të pagave të punëtoreve në këtë sektor duke aluduar për një rritje prej 30% në baza vjetore duke marrë parasysh dhe tregun jashtëzakonisht atraktiv për punonjës në sektorin e teknologjisë informative.
Ai theksoi se jo rastësisht vendet më të zhvilluara në botë kanë sistemin më të zhvilluar të arsimit profesional.
Gjatë pjesës së diskutimit të hapur me biznese, institucione arsimore, dhe palë të tjera të interesit gjithashtu u theksua nevoja të prioritizuar sektorin e arsimit në vend dhe për të ndërtuar linja më të mira të bashkëpunimit mes politikëbërësve, institucioneve arsimore dhe sektorit privat.