Kosova smund të ndikojë në rast të ngritjes së çmimeve
Prishtinë, 8 korrik - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ditë më parë ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Importit (IÇIMP) për tremujorin e parë të vitit 2014-t (TM1).
Sipas këtij publikimi, Indeksi i Çmimeve të Importit në Kosovë është ngritur për 1.4 për qind për qind në (TM1) 2014,krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2013.
Ndërkaq, krahasuar me (TM1) 2013, Çmimet e Importit janë ngritur në një mesatare prej 0.2-përqindësh. Çmimet e Importit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 1.4-përqindësh në TM1 2014, krahasuar me TM4 2013.
Ngritjet më të mëdha të çmimeve ishin te sektorët produktet bimore (16.7 për qind), shtazët e gjalla, produktet e shtazëve (5.1 për qind), këpucët (1.4 për qind), pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (0.8 për qind), druri dhe artikujt e drurit (0.7 për qind) dhe letra dhe artikujt e saj (0.4 për qind), është thënë në publikimin e ASK-së.
Të kontaktuar nga gazeta Epoka e re, njohës të çështjeve ekonomike kanë deklaruar se Kosova nuk ka kapacitete për të ndikuar në rast se do të ketë ngritje të çmimeve pasi, sipas tyre, ne varemi nga tregjet e mëdha.
Shahini: Ne smund të jemi ndikues në rast të ngritjes së çmimeve
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se, për fat të keq, Kosova nuk mund të ndikojë në rast se do të ketë rritje të çmimit të produkteve të gatshme. Ne varemi nga importi, dhe përderisa është kështu, varemi edhe prej tregjeve më të mëdha se Kosova, prandaj ato ndikojnë negativisht për konsumatorë.
As biznesi e as operatori ekonomik i Kosovës nuk mund të jenë ndikues nëse ka rritje të çmimeve të produkteve, qoftë të gatshme, të lëndës së parë apo teknologjisë. Ne jemi një shtet dhe popull konsumues i produkteve të huaja dhe ne nuk mund të kemi ndikim në tregjet e mëdha.
Te produktet finale politikat fiskale në Kosovë nuk janë aq të pafavorshme, përveçse ne paguajmë doganë për produktet që vijnë nga Bashkimi Evropian, kurse në disa vende tashmë paguajnë vetëm TVSH dhe në këtë drejtim tashmë Kosova ka hyrë në negocim dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit do ta rregullojë këtë çështje sipas marrëveshjes, është shprehur Shahini për gazetën.
Piraj: Çmimet në Kosovë lidhen me çmimet në tregjet ndërkombëtare
Njohësi i zhvillimeve ekonomike, Burim Piraj, ka deklaruar se ngritja e çmimeve është normale dhe ndodh me produktet e ndryshme në tregjet ndërkombëtare.
Kur kemi të bëjmë me produkte agrare, ngritjet dhe uljet shpeshherë shkojnë edhe mbi 10 për qind. Kjo vjen krejt varësisht nga të korrurat në kontinente të ndryshme dhe në sezon të ndryshëm stinor. Është normale që prej të korrurave varet direkt edhe çmimi i mishit i kafshëve të gjalla dhe të shpezëve, ka thënë ai.
Duke shtuar se nuk beson se edhe në gjashtëmujorin e ardhshëm këto çmime të kthehen në kuotën normale.
Kjo lidhet me kondita të rregullta të tregut, mirëpo në vendin tonë situata është pak më ndryshe sepse kemi të dhëna se disa nga produktet e lartcekura si, për shembull, kur është fjala për gjedhet të gjalla, ka pasur një mospërputhje në lidhje me deklarimin e çmimit nga importuesit e kafshëve të gjalla dhe me çmimet reale të tyre, ka theksuar Piraj.
Ai ka thënë se Dogana e Kosovës ka ngritur bazën doganore të importit të tyre, duke e përafruar me çmimin, i cili deklarohet për zhdoganim me çmimin real të tyre në treg.
Për shkak të këtyre rrethanave, vërehet një ndryshim në çmimin e importit të tyre, i cili nuk do të thotë se është ngritje reale e çmimit, mirëpo ka të bëjë vetëm me deklarimin pranë autoritetit doganor të vendit tonë, është shprehur ai.
Kjo situatë në të cilën ndodhet konsumatori kosovar, sipas Pirajt, nuk është aspak e lakmueshme për arsye se nuk ka rezerva shtetërore për ta amortizuar sadopak ndikimin e menjëhershëm të ngritjes së çmimeve në tregjet internacionale.
Kosova nuk ka politika fiskale, të cilat do të mundësonin një baraspeshë ashtu që të mbrohet konsumatori njëherë dhe prodhuesi vendor. Ekonomia kosovare është importuese. Për fat të keq tonin, çdo ndryshim në çmimet e mallrave të importuara drejtpërdrejt do të ketë ndikim në varfërimin e shportës së konsumatorit, ka theksuar ai.
Kaçaniku ka argumente që energjia duhet të lirohet
Kryetari i OJQ Konsumatori, Selatin Kaçaniku, ka deklaruar se çdo ngarkesë e çmimeve bie mbi kurrizin e konsumatorit.
Institucionet e shtetit duhet të jenë të brengosura dhe ta kenë parasysh se konsumatori është taksapagues dhe gjenerues kryesor i buxhetit të Kosovës. Për fat të keq, mes partive dhe institucioneve ka një lidhje, meqenëse institucionet rekrutojnë kuadro nga partitë dhe nuk kemi kuadro mjaft të vetëdijesuar për rolin dhe për të drejtat e konsumatorit, ka thënë ai.
Kaçaniku ka deklaruar se OJQ
Konsumatori ka reaguar edhe ndaj rritjes së çmimit për energji elektrike nga ana e KEDS-it. Ne kemi reaguar dhe kemi gjetur fakte se energjia elektrike duhet të lirohet e jo të shtrenjtohet.
Pikësëpari se kjo energji elektrike nuk e përmbush asnjë element të standardeve dhe, e dyta, konsumatori, duke qenë se edhe në strukturën e çmimit figuron si investitor, pra është bashkëpronar i aseteve dhe si bashkëpronar në emër të dividentes, e meriton një ulje të çmimit, por edhe këtu kemi njerëz, të cilët nuk janë fort të vetëdijshëm dhe nuk janë aq sa duhet të ngritur për rolin dhe të drejtën e konsumatorit, është shprehur ai.
Albulena S. MAVRAJ