Kosova ska krizë financiare
Prishtinë, 26 gusht - Edhe pse Kosova gjendet në një ngërç politik, zyrtarët e Ministrisë së Financave (MF) thonë se vendi nuk do të ballafaqohet me krizë financiare.
Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Financave ka thënë se nuk do të ketë asnjë problem. \"Probleme të tilla nuk do të ketë për një arsye të thjesht, sepse Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014 dhe të gjitha ligjet deri më tash, Ligji mbi Menaxhimin e Financave Publike kanë përcaktuar mundësinë se duke filluar nga data 1 tetor, ministri i Financave ka të drejtë ta bëjë rialokimin e 5 % nga mjetet e përgjithshme. Bëhet fjalë për mundësinë e rialokimit diku rreth 75 milionë eurove që mjaftojnë që të gjitha ndryshimet eventuale të përmbushen\", ka thënë ai.
Baxhaku ka bërë me dije se deri më tani janë dërguar dy udhëzime tek organizatat buxhetore, prej të cilave janë marrë përgjigje konkrete.
Ai ka shtuar se nuk do të ketë probleme financiare për projektet, të cilat ende nuk kanë përfunduar.
Sipas Baxhakut, rialokimi i buxhetit do të shfrytëzohet për ato projekte, të cilat nuk kanë qenë të planifikuara nga fillimi i vitit, por që do të jenë të nevojshëm për qytetarët e Kosovës. (RTK)