Kosova, Shqipëria e Turqia me rritje ekonomike pozitive
Washington, 20 prill - Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Indermit Gill, ka deklaruar nga Washingtoni se perspektiva për rritjen ekonomike në Ballkan është e errët dhe e paqartë.
Gjatë një takimi me kryeekonomistët dhe ekspertët rajonalë të Bankës Botërore, Gill është shprehur: Shikoni se çfarë po ndodh në Shqipëri, Serbi dhe Bullgari.\"
\"Këto vende kishin lidhje të ngushta me Greqinë dhe Italinë, lidhje në tregti, sistemin bankar dhe në tregun e punës. Për shkak të kësaj, këto ekonomi tashmë kanë perspektivat më të këqija për rritjen ekonomike.
Kryeekonomisti i Bankës mendon se kriza europiane ka sjellë një realitet të ri.
Në të shkuarën thuhej se sa më larg Brukselit të ndodheshe. aq më keq ishte. Tani kjo ka ndryshuar. Sa më afër Athinës të jesh, aq më keq është, ka deklaruar Gill.
Në pesë vitet e krizës, Shqipëria ka mundur të shmangë recesionin. Rënia e kërkesës së brendshme dhe tkurrja e investimeve private është kompensuar falë ecurisë së mirë në sektorin e jashtëm, kryesisht eksporteve dhe investimeve të huaja.
Sipas Komisionit Evropian, në 2012-ën, Shqipëria së bashku me Turqinë dhe Kosovën, ishin tre vendet e vetme në rajon që mbajtën rritje ekonomike pozitive, teksa të gjitha vendet e tjera u rikthyen në recesion.
Por, e ndrydhur mes Greqisë dhe Italisë, dy ekonomive që janë shndërruar në epiqendrën e krizës europiane, ekonomia shqiptare po humbet rezistencën.
Vitin e kaluar, rritja ekonomike, edhe pse pozitive, ra në nivelin më të ulët që nga viti 1997, vetëm 1.6 për qind. Një shifër katër herë më e ulët se mesatarja historike dhe dy herë më pak edhe se sa mesatarja e viteve të krizës 2009-2011.