05 Maj 2024

Kosova shënoi Diten Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë

Prishtinë, 16 tetor - Me rastin e  Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, Kuvendi i Kosovës dhe UNDP-ja organizuan një tubim të përbashkët në ambientet e Kuvendit për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.

Me këtë rast të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua , kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili  tha se Kuvendi i Kosovës tashmë çdo vit, sikur edhe vendet tjera në mbarë botën, shënon me veprimtari të ndryshme këtë javë.

Nëpërmjet të kësaj tryeze sot do të trajtohet, theksoi ai,  progresi i komisioneve parlamentare në arritjen e OZHM-ve dhe përfshirjes sociale, sfidat dhe mundësitë për zvogëlimin e varfërisë, përmirësimi i zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë dhe përshpejtimi i Përfshirjes Sociale.

Takimi i sotëm ka bashkuar rreth tryezës deputetë nga Kosova, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, OJQ si dhe donatorët dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

“Ne kemi qëllim edhe shkëmbimin e përvojave nga rajoni dhe forcimin e partneriteteve ekzistuese e ndërtimin e partneriteteve të reja mes palëve. Niveli i varfërisë në Kosovë është tepër i lartë dhe i papranueshëm, prandaj përbën një nga sfidat më serioze zhvillimore të institucioneve dhe shoqërisë sonë.\"

\"Me gjithë rritjen ekonomike të këtyre viteve, tregu i punës akoma mbetet i pamjaftueshëm për të përfshirë kontingjentet e mëdha të papunëve në Kosovë.\"

\"Edhe vitin e kaluar kemi trajtuar papunësinë, grupet shoqërore të papërfshira dhe vështirësitë e përfaqësimit të barabartë të gruas në jetën politike, administrative dhe ekonomike. Janë shënuar rezultate, por mbetet akoma shumë për të bërë”, theksoi ai.

Objektivat Zhvillimore të Mileniumit kanë hyrë në agjendën e vendeve dhe shoqërive gjithandej në botë, duke u bërë shpresë që deri në vitin 2015 të shkohet drejt zhdukjes së varfërisë së skajshme, që mundësojnë edukimin fillor për të gjithë, pa dallim,  barazinë gjinore dhe fuqizimin e rolit të femrave në shoqëri, të rrisin cilësinë e kujdesit shëndetësor për të gjithë, të punojnë në mbrojtjen e  ambientit dhe të sigurojnë kushte për partneritet ndërshtetëror me vendet e zhvilluara.

Në vazhdim kryekuvendari Krasniqi, tha: ”Ne jemi të angazhuar në plotësimin e tetë objektivave zhvillimore të Deklaratës së Mileniumit dhe të Rezolutës së Kuvendit, të 17 tetorit 2008 si dhe të Letrës së Bardhë për përfshirjen sociale. Në harmoni me këto dokumente janë miratuar edhe një varg ligjesh. Këto objektiva historike mund dhe duhet të arrihen me angazhimin e përbashkët dhe të koordinuar të institucioneve të shtetit, të shoqërisë civile dhe të qytetarëve, pa dallim, të vendit tonë”, pohoi ai.

Kuvendi është duke treguar përparim në shumë sfera të punës së tij, duke pasur parasysh këtu edhe Agjendën sociale të Bashkimit Evropian dhe proceset zhvillimore të cilat e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane.

“Deklarata e Mijëvjeçarit na thërret për partneritet vendor dhe ndërkombëtar, mirëpret përkrahjen ndërkombëtare, parasheh vlerësimin dhe raportimin e progresit kundrejt objektivave institucionale dhe thërret për nxjerrjen dhe zbatimin e legjislacionit të nevojshëm për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarit të Republikës së Kosovës.\"

\"Kjo do të thotë punë më efektive në identifikimin e çështjeve drejt përfshirjes më të madhe sociale dhe zhvillimit njerëzor në Kosovë, sikurse janë çështjet për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe vendimmarrje, qasje në informacion, edukim cilësor, krijim të vendeve të punës, dialog dhe integrim ndërkulturor ndërmjet komuniteteve, respekt për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit”, theksoi kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi.

Ai pastaj foli edhe për  disa prioritete urgjente me të cilat përballen institucionet e Kosovës, që kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik, me krijimin e vendeve të reja të punës, legjislacionin e duhur dhe adekuat në lidhje me varfërinë, reflektimin e Agjendës për Përfshirje Sociale të Bashkimit Evropian dhe Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit, përgatitje të politikave specifike sektoriale të orientuara drejt rezultateve dhe me shfrytëzimin e përfitimin më të madh nga partneriteti publiko-privat.

Me fjalën e tij ai inkurajoi secilin deputet që të shpalosë kapacitetin individual dhe profesional për ndryshim nëpërmjet të mjeteve institucionale, të marrë iniciativë, të reflektojë në lidhje me përgjegjësinë personale dhe institucionale, duke u përqendruar në qëllime zhvillimore, sepse kështu,  jo vetëm që do të përmirësohet jeta e secilit qytetar, por gjithashtu do të përmirësohet pozicioni global i Kosovës.

Në fund ai  falënderoi agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për mbështetjen e pakursyer të Kosovës, posaçërisht UNDP-in, e cila ka bërë kaq shumë për ta ndihmuar Kuvendin, sidomos sa i përket agjendës evropiane të Përfshirjes Sociale dhe në Objektivave  Zhvillimore të Mileniumit, por edhe për organizimin e mirë të kësaj tryeze. Pasi e përfundoi fjalën, për punën dhe kontributin në thellimin e bashkëpunimit të Kuvendit me UNDP-në, Osnat Lubrani, koordinatore e Organizatës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i ndau një mirënjohje kryekuvendarit Krasniqi.
        

Pastaj fjalën e mori Osnat Lubrani, e cila në  fillim falënderoi kryekuvendarin Krasniqi dhe Kuvendin e Kosovës për këtë partneritet drejt arritjes së objektivave të zhvillimit të Kosovës.

Ajo tha se ndjen kënaqësi të veçantë që është bashkëudhëheqëse në këtë veprimtari. OKB-ja  ofron përkrahje në përmbushjen e objektivave të Kosovës, sidomos në fushën e   legjislacionit dhe rimëkëmbjes ekonomike e zbutjen e varfërisë , e cila është sfidë serioze.

Ajo këtë e ilustroi më faktin se 35 për qind e popullsisë së këtushme jetojnë në varfëri, ndërsa 73 për qind e të papunëve në Kosovë janë të rijnë. Në këtë vështrim, Lubran, tha se duhet të bëhen përpjekje të mëdha edhe në shkollimin e shtresave  më të gjera, veçanërisht ato të varfra.

Në vazhdim të pranishmëve iu drejtua Suzan Novoberdali, e cila duke folur në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione,  tha se sigurimi i barazisë gjinore është objektiv kryesor.

Duke folur për punën  e komisionit ajo tha se zbatimi dhe monitorimi i Ligjit për barazi gjinore është një tjetër preokupim i vazhdueshëm i këtij komisioni. Ajo në vijim foli gjerësisht më shifra e fakte për strukturën gjinore, në veçanti për  pjesëmarrjen e gruas në institucione.

Duke folur për pjesëmarrjen e gruas në Kuvendin e Kosovës, ajo tha se në kuvend janë 40 deputete, ndërsa në administratë 42% e punëtorëve janë femra.

Alma Lama e përgëzoi Komisionin për realizimin e objektivave për barazi gjinore, për të cilat njëkohësisht angazhohet edhe Grupi i Grave Deputete. Z. Lama tha se nuk mjafton vetëm numri, meqë  esenciale është edhe fakti se sa femra merr pjesë në pozita vendimmarrëse.

Hydajet Hyseni theksoi se pozita e femrës nuk zgjidhet me shifra dhe kuota, por në mënyre substanciale, përkatësisht shkollimit të saj, punësimit dhe cilësisë së vendeve të punës që zënë femrat.

Drejtues i UNDP-së mbi Praktikat e Varfërisë për Evropë dhe CIS, Ben Slay, foli për qasjen e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky synim duhet të realizohet nëpërmjet procesit të konkurrencës në BE, përkatësisht duhet të implementohet politika ekonomike e saj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)