23 Dhjetor 2024

Kosova rast unik në botë, ku diaspora kishte një ardhje kaq të lartë në atdhe

Prishtinë, 2 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takim virtual me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, prirë nga Gabriel Di Bella, Shef i Misionit për Kosovë.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin Hekuran Murati, Kryeministri i falënderoi për mbështetjen që FMN-ja i ka dhënë Republikës së Kosovës deri më sot.

Kryeministri Kurti gjatë bisedës tha se ndonëse pandemia ka sjellë tendosje të konsiderueshme duke qenë se po i afrohemi vitit të dytë të pandemisë, performanca e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë me një rritje mesatare prej 10.4% në pjesën e parë të 2021, na bën optimistë se kjo do të jetë trajektorja e zhvillimit të vendit edhe për vitet në vijim.

Kjo performancë sipas Kurtit ka ndikuar edhe në të hyra buxhetore, të cilat na kanë mundësuar zbatimin e pikave të programit qeverisës më herët se që kishim planifikuar, gjë që mund të vërehet edhe me buxhetin e vitit 2022, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Nga ana tjetër, Di Bella përgëzoi Qeverinë e Kosovës për suksesin në vaksinimin e popullatës, duke e bërë vendin lider në rajon, përkundër faktit që kishte një start të vonshëm në këtë proces.

Ai gjithashtu foli mbi performancën e mirë ekonomike dhe buxhetore, që ishte përtej parashikimeve fillestare.

Në lidhje me këtë Di Bella u shpreh, që Kosova përbënte një rast unik në botë, ku diaspora kishte një ardhje kaq të lartë në atdhe, pas lirimit të masave.

Në takim u diskutua edhe në lidhje me masat e suksesshme për formalizimin e ekonomisë të ndërmarra nga Qeveria, e që kanë rezultuar me më shumë të hyra buxhetore.

Po ashtu, u diskutua edhe për inflacionin, që është fenomen i shfaqur muajve të fundit në nivel global dhe masat, që qeveria jonë dhe qeveri të ndryshme nëpër botë po ndërmarrin që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)