Kosova promovohet në Britaninë e Madhe
Prishtinë, 11 tetor - Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila është duke udhëhequr një delegacion të përbërë nga dhjetëra biznese dhe përfaqësues të institucioneve publike në Britaninë e Madhe me qëllim të promovimit të mundësive të bashkëpunimit dhe investimeve në Kosovë.
Fillimisht,ministrja Kusari-Lila është takuar me Lord Stephen Green, Ministër për Tregti dhe Investime me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve në ofrimin e përkrahjes, promovimit dhe informatave për bizneset që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
Lord Green ka premtuar përkrahjen dhe ndihmën e institucionit që ai drejton në promovimin e Kosovës si vend potencial për investime britanike. Ai gjithashtu ka ofruar edhe ndihmën e institucionit të tij në ngritjen e kapaciteteve të APIK.
Në ditën e parë të vizitës delegacioni kosovar vizitoi qytetin Sheffield, i njohur si vendi i dytë më i zhvilluar ekonomikisht në Angli. Nën mikpritjen e Odës Ekonomike të Sheffield-it është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit midis bizneseve nga të dyja vendet.
Në fjalën e saj hyrëse, ministrja Kusari-Lila tha se Kosova ofron mundësi shumë të mira për tërheqjen e investimeve nga Sheffield-i.
Kosova ka qenë një vend i industrializuar dhe presim shumë shpejt të ri-industrializohet sërish. Në besojmë që përvoja e bizneseve në Sheffield, posaçërisht në fushën e energjisë, minierave dhe industrisë përpunuese mund të jetë shembull për zhvillimin e këtyre industrive në Kosovë, theksoi Kusari-Lila.
Më tej,ministri Besim Beqaj prezantoi mundësitë investive në sektorin e energjisë dhe ndërmarrjeve publike, ndërsa Valdrin Lluka, Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve prezantoi projektet konkrete ku mund të investohet në Kosovë si dhe mundësitë tjera të një mori sektorëve me potencial për tërheqje të investitorëve.
Në ditën e dytë të vizitës, pjesëmarrësit e delegacioni kosovar prezantuan mundësitë investive para një grupi të bizneseve në Londër të organizuara nga Oda Ekonomike e Londrës.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë edhe ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci kanë diskutuar për mundësitë e investimeve dhe të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të dy vendeve.
Gjatë gjithë kohës bizneset nga Britania e Madhe kanë shprehur interesimin e tyre dhe vullnetin e mirë që të investojnë dhe të rrisin bashkëpunimin me Kosovën.
Ato posaçërisht ishin të interesuara për sektorët e minierave, energjisë dhe industrisë së përpunimit të ushqimit.
Kjo vizitë është organizuar nga Agjencia për Promovim të Investimeve e Kosovës (APIK) në bashkëpunim me Odën Ekonomike Britanike dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Gjatë tre vjetëve të fundit Kosova ka pasur vazhdimisht rritje të eksportit në Britaninë e Madhe. Gjatë periudhës janar- gusht të këtij viti eksporti me këtë vend ka shënuar rritje prej 140.3% krahasuar me periudhën e njëjte të vitit të kaluar.