Kosova pranoi 164 milion euro nga donatorët gjatë vitit 2016
Prishtinë, 11 dhjetor - Sot, nën organizimin e Ministrisë së Integrimit Evropian, u mbajt takimi i radhës i Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve, ku u prezantuan të gjeturat kryesore të Raportit të Donacioneve për vitin 2016, si dhe prioritet e Qeverisë.
Të pranishëm ishin edhe Shefja e zyrës së BE-së, në Kosovë, Znj. Apostolova, ambasadori i ShBA-së, Delawie të cilët mbajtën fjalë rasti, donatorë si dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Në hapje të takimit, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë tonë.
Kryeministri ka theksuar rëndësinë e donacioneve nga taksapaguesit e shteteve mike të cilat e ndihmuan Kosovën në kohën më të vështirë.
Ai me këtë rast theksoi se duke marrë ndihma, ne kemi marrë edhe obligime dhe shprehu vendosmërinë e përkushtimit për të ngritur koeficientin e përgjegjshmërisë në menaxhimin e donacioneve, luftimin e korrupsionit duke u bërë anëtar i përgjegjshëm i familjes evropiane.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, prezantoj Raportin Vjetor për Koordinimin e Donacioneve për vitin 2016, duke i njohur të pranishmit dhe opinionin se janë alokuar 164 milion euro donacione, në formë të asistencës, me fokus në qeverisjen, shoqërinë civile, arsimin, përmirësimin e menaxhimit të ujërave dhe menaxhimin e ujërave të zeza, investimet në përmirësimin e infrastrukturës si dhe mbështetjen e bizneseve.
Donatorë më të mëdhenj, ceku Ministrja, janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra, Gjermania, dhe vendet tjera”, theksoi Ministrja Hoxha.
Më pastaj, Ministrja ceku shumat e dedikuara sipas fushave, si vijon: Qeverisja dhe shoqëria civile me mbi 57 milion, Arsimi me 17.6 milion, Përmirësimi i menaxhimit të ujërave dhe ujërave të zeza me 14 milion, Investimet në përmirësimin e infrastrukturës 10 milion, Mbështetje bizneseve 9.5 milion.
Në fund, Ministrja i falënderoi donatorët duke vënë në dukje se këto projekte ndikojnë në cilësinë e fushave ku janë bërë investimet
Në vazhdim të takimit, Ministrat gjegjës paraqiten prioritetet në fushën e Sundimit të Ligjit, Edukimin, Shëndetësisë si dhe Ndërmarrësisë e Inovacionit.