Kosova po ndryshon për të bërë biznes
Bruksel, 4 dhjetor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Promovimin e Investimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Belgjikë dhe Odën Amerikane të Kosovës, organizuan mision tregtar në Bruksel për të promovuar mundësitë e investimeve në Kosovë dhe për të ngritur nivelin e bashkëpunimit në mes bizneseve kosovare dhe belge.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se imazhi i Kosovës është përmirësuar ndjeshëm si rezultat i reformave për të bërit biznes dhe politikave të favorshme ekonomike.
Kosova nuk është pjesë e lajmeve ndërkombëtare si eksportuese e jo-stabilitetit rajonal dhe ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe investitorët e jashtëm. Vendet e shkatërruara nga luftërat, siç është rasti Ruandës, kanë arritur të përmirësojnë imazhin e tyre në prani të investitorëve ndërkombëtarë dhe Kosova nuk ka asnjë arsye pse mos ta bëjë një gjë të tillë theksoi ajo.
Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, para investitorëve tregoi politikat e Qeverisë së Kosovës në sektorin e energjisë dhe minierave e mineraleve.
Sektori i energjisë në Kosovë është duke tërhequr vëmendje të konsiderueshme të investitorëve të jashtëm dhe ne shpresojmë që deri vitin e ardhshëm do të kemi ndryshime thelbësore në investimet në fushën e energjisë, minierave dhe mineraleve, tha ministri Beqaj.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, i ftoi të pranishmit nga mërgata kosovare që të rrisin investimet në Kosovë.
Një numër i konsiderueshëm i investitorëve të tanishëm dhe potencial janë nga diaspora jonë. Investimet tuaja në Kosovë janë të rëndësishmen jo vetëm nga aspekti financiar por edhe për faktin se ato sjellin me vete një standard dhe kulturë të re të biznesit për të cilën kemi aq shumë nevojë ne në Kosovë, theksoi ministri Makolli.
Se çka e bën Kosovën më tërheqëse për investitorë, në raport me vende tjera të rajonit, sqaroi Valdrin Lluka, kryeshef i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë i cili tha se Kosova mundëson që të keni qasje të lirë në tregun me 500 milionë konsumatorë të BE-së, pa tarifa doganore.
\"Ne kemi shpenzime të ulëta operacionale dhe një fuqi punëtore të re dhe shumë dinamike. Taksat për bizneset janë ndër më ulëtat në Evropë dhe pozita gjeografike e Kosovës është përparësi për ju si investitorë, tha Valdrin Lluka.
Pjesë e kësaj konference ishin një numër i konsiderueshëm i bizneseve belge dhe kosovare nga sfera të ndryshme, të cilët patën rastin të krijojnë partneritet në mes tyre.
Organizimi i Forumit të Biznesit në Belgjikë, është pjesë e një fushate të gjerë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për promovimin e investimeve në Kosovë te vendet me investitorë potencialë për Kosovën posaçërisht në Bashkimin Evropian, SHBA dhe Turqi.