10 Maj 2024

Kosova po merrë pjesë në takimet vjetore të FMN dhe BB

Tokio, 12 tetor - Ministri i Financave Bedri Hamza dhe guvernatori  i Bankës Qendrore të Kosovës Gani Gërguri, të shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Ahmet Shala janë duke marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore të cilat janë duke u zhvilluar në Tokio të Japonisë.

Delegacioni kosovar përveç që ka marrë pjesë në sesionin plenar  të  FMN-së  dhe Bankës Botërore dhe në takimet e konstituencave përkatëse,  është takuar edhe me drejtorët ekzekutiv të cilët e përfaqësojnë Kosovën në konstituencën e FMN-së dhe  Bankës Botërore, pjesë e të cilave është Republika e Kosovës.

Me këtë rast delegacioni i Kosovës pati takime me Drejtorin e Departamentit Evropian në kuadër FMN-së, me Zëvendësministrin e Financave të Japonisë, Zëvendëspresidentin e Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Japonisë (JICA), dhe me Departamentin për Çështje Monetare dhe Tregje të Kapitaleve (Asistenca teknike) etj.

Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë të FMN-së janë vlerësuar pozitivisht zhvillimet ekonomike në Kosovë duke pasur parasysh krizën nëpër të cilën janë duke kaluar disa shtete  të Eurozonës.

Në këtë drejtim është vlerësuar lartë puna e institucioneve të Kosovës në përgjithësi,  si dhe në veçanti  puna e Ministrisë së Financave dhe BQK-së, në ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal, menaxhimin e kujdesshëm të proceseve buxhetore dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar.

Në kuadër të këtyre takimeve është mbajtur edhe takimi formal i Konstituencës së Evropës Qendrore dhe Lindore pjesë e së cilës është edhe Republika e Kosovës.

Në takimin me të nominuarin për drejtor ekzekutiv të kësaj konstituence z. Johann Prader është diskutuar për fillimin e punës së konstituencës së re  dhe për modalitetet e përfaqësimit të Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm.

Gjatë takimit me drejtorin ekzekutivë në FMN Willy Kiekens të konstituencës belge (pjesë e së cilës ishte Republika e Kosovës deri më tani), delegacioni i Kosovës e ka njoftuar me zhvillimet ekonomike dhe buxhetore në Kosovë dhe e ka falënderuar Kiekens për punën e palodhshme të tij në anëtarësimin dhe përfaqësimin e Kosovës në FMN.

Ndërsa në takimin me drejtorët ekzekutiv të Bankës Botërore, Konstantin Huber dhe Gino Alzeta, delegacioni i Kosovës ka shprehur kënaqësinë sa i përket punës së deritanishme dhe ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për vazhdim të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet  dy palëve.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e shtetit nikoqir të takimeve vjetore, delegacioni ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Japonisë për mbështetjen e shumanshme  që i kanë dhënë Kosovës që nga përfundimi i luftës, dhe është diskutuar për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Në takimin me zëvendësministrin e Financave të Japonisë, Shinsuke Amiya, janë diskutuar çështje të interesit të përbashkët dhe është shprehur zotimi reciprok për thellim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Gjithashtu, Amiya pranoi me kënaqësi ftesën e bërë nga Ministri Hamza për të vizituar Kosovën.

Gjatë ditëve të ardhshme, në kuadër të aktiviteteve të organizuara si pjesë e takimeve të rregullta vjetore të FMN-së dhe të Bankës Botërore, ministri i Financave Bedri Hamza dhe guvernatori z. Gërguri pritet të takohen me përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të FMN-së dhe të Bankës Botërore.  

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)