Kosova përfshihet në Indeksin e Lirisë Ekonomike"
Prishtinë, 26 prill- Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e The Heritage Foundation, zëvendëspresidentin e The Heritage Foundation" Jack Spencer dhe udhëheqësin e Institutit për Ekonomi të Lirë Anthony Kim, me të cilët ka diskutuar për prezantimin e hulumtimit të këtij institucioni Indeksi i Lirisë Ekonomike, ku Liria ekonomike e Kosovës është vlerësuar për herë të parë në Indeksin e vitit 2016.
Ministri Hoti e vlerësoj lartë punën e The Heritage Foundation, në veçanti për përfshirjen e Kosovës në hulumtim të këtij institucioni Indeksi i Lirisë Ekonomike.
Vlerësimi i Kosovës për herë të parë dhe pozicionimi në vendin e 84 në këtë raport është një e arritur për vendin tonë. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur kemi parasysh që këtë herë Kosova sa i përket lirisë ekonomike në këtë publikim është ranguar më mirë se sa disa vende të rajonit dhe BE-së, tha ministri Avdullah Hoti.
Ai gjithashtu i njoftoi të pranishmit për Strategjinë Zhvillimore të Kosovës, ndryshimin e politikave fiskale, fillimin e prokurimit elektronik si dhe për zhvillimin e sistemit bankar në Kosovë.
Ndërsa, zëvendëspresidenti i The Heritage Foundation Jack Spencer duke falënderuar Ministrin Hoti për gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar me institucionin e tij, sidomos gjatë procesit të hulumtimit të këtij institucioni Indeksi i Lirisë Ekonomike, tha se përmes këtij hulumtimi bëhet vlerësimi vjetor i lirisë ekonomike për 186 vende dhe territore në mbarë botën. Liria ekonomike e Kosovës është vlerësuar për herë të parë në Indeksin e vitit 2016. Në renditjen botërore, Kosova në këtë publikim renditet në vendin e 84.
Heritage Foundation është një nga vlerësuesit për Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation - MCC). Në mënyrë specifike, Heritage Foundation në partneritet me The Wall Street Journal shqyrton performancën e politikave tregtare të vendeve të botës dhe bën publikimin e hulumtimit vjetor \"Indeksi i Lirisë Ekonomike\". Ky hulumtim shërben si bazë për notim nga ana e MCC të indikatorit të \"Politikave Tregtare\" tek \"Liritë Ekonomike\" të vendeve të ndryshme.