Kosova për herë të parë organizon takimet vjetore të BB-së dhe FMN-së
Prishtinë, 6 maj - Pas anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore në vitin 2009 si anëtare me të drejta të plota, për herë të parë në Prishtinë sot janë mbajtur punimet e takimeve vjetore të Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Punimet e Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore janë organizuar nga Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës.
Mbledhjet e Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore janë mbledhje vjetore ku diskutohet rreth zhvillimeve të përgjithshme ekonomike globale, sfidave rajonale, si dhe çështjeve të brendshme të Konstituencave.
Gjatë punimeve të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Prishtinë të pranishëm ishin ministri i Financave Avdullah Hoti, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve publike të Republikës së Kosovës, Delegacionet e Konsituencave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuara nga zëvendëspresidenti për Evropë dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore Cyrril Muller, drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore Franciskus August Godts, zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar Mitsuhiro Furusawa, drejtori ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar Ibrahim Halil Canakci, si dhe përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).
Vendet pjesëmarrëse në Konsituencat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që morën pjesë në këto takime vjetore janë: Austria, Turqia, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia, Bjellorusia, Luksemburgu dhe Belgjika.
Gjatë punimeve të mbledhjeve vjetore të Konstituencave janë diskutuar shumë tema ekonomike me të cilat po preokupohen vendet e Konstituencave tona: si çmimi i ulët i naftës dhe ndikimi i saj në inflacion, ngadalësimi i rritjes ekonomike kineze, kriza e refugjatëve në Evropë dhe reformat e nevojshme që janë të domosdoshme për një rritje më të madhe ekonomike. Gjithashtu gjatë këtyre takimeve u shkëmbyen edhe përvojat në mes të vendeve pjesëmarrëse.
Organizimi i mbledhjeve të Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Prishtinë tregon shumë për rolin konstruktiv dhe partneritetin e fuqishëm që ka Kosova me Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, dhe këto nëntë shtete. Por, gjithashtu është dëshmi se institucionet e Kosovës po i forcojnë edhe më shumë lidhjet ekonomike dhe politike me organizatat financiare ndërkombëtare dhe shtetet anëtare të Konstituencave të FMN-së dhe Bankës Botërore.
Kosova është pjesë e Konstituencës së Evropës Qendrore dhe Lindore në FMN së bashku me vendet e tjera si Austria, Turqia, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia dhe Bjellorusia. Ndërsa, në anën tjetër në Konstituencën e Bankës Botërore, përveç vendeve të cekura më lartë, bëjnë pjesë edhe Luksemburgu dhe Belgjika.