01 Nëntor 2024

Kosova ofron potenciale për investitorët e huaj, por duhen promovuar

Prishtinë, 5 tetor - Kosova ofron potenciale të shumta për tërheqjen e investimeve të huaja, por nevojitet promovim më i mirë si dhe adresim i disa çështjeve si burokracia, perceptimi për korrupsionin dhe zbatueshmëria e kontratave, për rezultate më të mëdha në rritjen e investimeve të huaja në vend.

Kjo u tha gjatë një forumi të diskutimit mbi Arsyet për të Investuar në Kosovë, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në të cilin folën përfaqësues të Qeverisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësues të kompanive private.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se në shumë prej aspekteve që janë të rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja si fuqia punëtore dhe normat tatimore, Kosova qëndron shumë mirë.

Ajo tha se po ashtu kultura e të bërit biznes në Kosovë është e afërt me atë të vendeve perëndimore, duke e vlerësuar këtë si element të rëndësishëm në ofertën e Kosovës për investitorët e huaj.

Kosova sipas ministres Hajdari ofron shumë përparësi për kompanitë e huaja për kontraktimin e shërbimeve të caktuara nga kompanitë kosovare, që ndodhen gjeografikisht afër këtyre kompanive të huaja, ose “nearshoring”.

Ajo foli për rëndësinë e sistemit të favorshëm tatimor, por edhe faktit që Kosova përdor valutën euro si valutë zyrtare, e që shmang rrezikun e këmbimit valutor.

Ministrja  Hajdari tha se shumë biznese evropiane kanë shprehur interesimin e tyre për vendosjen e aktiviteteve të tyre të prodhimit në Kosovë, duke ofruar me këtë edhe mundësinë e trajnimit të fuqisë punëtore në fushën e prodhimit dhe përpunimit.

Ajo tha se në fokus të Ministrisë që ajo drejton është edhe funksionalizimi i zonave ekonomike, duke i shndërruar ato në ekosisteme që funksionojnë, përmes prezantimit të modeleve moderne të menaxhimit.

Dillon Green, Zyrtar Ekonomik dhe Komercial në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se Kosova ka lokacion strategjik gjeografik, si dhe qasje preferenciale tregtare në Bashkimin Evropian, ka treg të mirë të punës, por edhe shoqëri e cila është mikpritëse dhe e hapur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përgjithësi, dhe bizneset amerikane në veçanti.

 Ai tha se kurdo që afaristët amerikanë vizitojnë Kosovën, ata janë pozitivisht të befasuar me atë që ofron Kosova, prandaj është me rëndësi që të sigurohen sa më shumë vizita të tilla.

Kosova sipas Green ka një ofertë atraktive për investitorët, duke përmendur si pozitiv faktin që Kosova ka popullsi të re që flet shumë gjuhë të huaja, por edhe regjim të mirë të tatimit për korporata.

Ai theksoi nevojën e përqendrimit më të madh tek diaspora e Kosovës, ndërsa për sa i përket promovimit të investimeve, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai tha se duhen përzgjedhur vende të cilat kanë njohuri për Kosovën, siç është shteti i Iowas.

Green tha se në Kosovë ekziston një perceptim i lartë për korrupsionin, por gjithsesi ekziston edhe një hendek i madh ndërmjet perceptimit dhe korrupsionit real.

Përfaqësuesit e bizneseve Afrore Rudi nga kompania Deloitte, Michael Gold nga kompania Crimson Capital dhe Ramis Ahmetaj, ekspert i financave folën për aspektet e tjera siç është sektori i zhvilluar financiar, politikat e favorshme fiskale, si dhe popullsia e mirëedukuar, si aspekte të tjera të rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duke theksuar edhe çështjet e caktuara, zgjidhja e të cilave duhet të ketë vëmendjen e Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)