Kosova nuk mund të marrë hua të jashtme
Prishtinë, 21 janar - Kosova nuk e ka të drejtën të marrë kredi në institucionet financiare ndërkombëtare gjatë vitit 2013.
Të hyrat e vetme të cilat konsiderohen si shpëtim i buxhetit për këtë vit janë ato nga planifikimet për shitjen e Postë - Telekomit të Kosovës, si dhe nga borxhi i brendshëm publik.
Në letrën e dërguar te Fondi Monetar Ndërkombëtar në fund të vitit 2012, Qeveria e Kosovës shprehet e pasigurt nëse do tia dalë të përmbyllë vitin fiskal pa ndonjë krizë të mundshme financiare.
Në këtë aspekt ekzekutivi ka paraqitur një vlerë financiare prej 155 milionë eurove, që konsiderohet si deficit apo mungesë fillestare e mjeteve në bilancin e përgjithshëm ndërmjet të hyrave të rregullta dhe shpenzimeve buxhetore.
Mjetet në vlerë prej mbi 50 milionë eurove, të derdhura në buxhetin e vendit në përfundim të vitit 2012, janë të fundit nga kredia e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Gjatë këtij viti nuk është planifikuar as kredi nga Banka Botërore.
Të vetmet të hyra nga jashtë do të jenë ato të ndara nga Komisioni Evropian në vlerë prej 65 milionë eurove, të cilat nuk do të derdhen në buxhet, mirëpo do të ndahen për projekte të veçanta.
Të vetmen mundësi për kredi Qeveria e ka te Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mjete këto që gjithashtu mund të merren vetëm për projekte të veçanta, shkruan Koha Ditore.
Buxheti i vitit 2013 përfshin një deficit primar prej 155 milionë eurove, apo 3 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, thuhet në letrën dërguar FMN-së nga Qeveria e Kosovës.
Sipas të njëjtës shkresë, buxheti përfshin një shkurtim prej 32 milionë eurosh, që do të ruhet si masë në rast të paraqitjes së ndonjë krize eventuale në përmbushjen e planit të të hyrave.
/KD/