Kosova nuk është e interesuar për bllokada kufijsh
Prishtinë, 11 shtator - Ministri i Financave Besim Beqaj ka deklaruar sot se Kosova nuk është e interesuar për bllokada kufijsh dhe se do të heq masat e ndërmarra në momentin kur Maqedonia nga ana e vet do të merr vendime mbi heqjen e masave të ndërmarra të cilat cenojnë të drejtën e tregtisë dhe lëvizjes së lirë.
Në momentin që Qeveria e Maqedonisë do të kthehet në piken zero ne do të reagojmë menjëherë. Problemi është në Shkup dhe jo në Prishtine, ka thënë ministri Beqaj në takimin me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore, Odës Ekonomike Bullgaro - Maqedonase dhe nikoqireve të tyre nga Aleanca Kosovare e Biznesit.
Me këtë rast ministri Beqaj ka theksuar se Kosova nuk është e interesuar për bllokada por nuk do të lejon në asnjë rrethanë që qytetari dhe produkti i Kosovës të nënçmohet nga cilido vend të jetë.
Kosova është e interesuar për bashkëpunim të mirë fqinjësor me të gjitha vendet, por gjithsesi do ta ruaj identitetin shtetërorë , do ta ruaj interesin e qytetarit të Republikës së Kosovës dhe do ta ruajmë në masën më të madhe interesin e ekonomisë së Kosovës.
Ministri Beqaj shprehi besimin se kjo çështje shumë shpejtë do të zgjidhet dhe shprehu falënderimin për mirëkuptimin të cilin bizneset e Kosovës e kanë treguar për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit nga ana e vendit tonë.
Kryetari i OEMVP, Menderes Kuçi tha se masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë së Maqedonisë janë veprime irracionale dhe të pakuptueshme për logjikën e biznesit.
Ne do të marrim iniciativë direkte që këtë vullnet të mirë të përfaqësuesve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës ta përcjellim në Qeverinë e Maqedonisë dhe të kërkojmë zgjidhjen e problemit ashtu që të tërhiqen vendimet e Qeverisë së Maqedonisë, tha zoti Kuçi.
Kryetari i Odes Ekonomike Maqedono - Bullgare, Zoran Temeljskovski duke theksuar se nga takimet e sotme është bindur se bëhet fjalë për një problem të cilin e ka shkaktuar Qeveria e Maqedonisë, tha se nga bisedat e sotme ka kuptuar se në establishmentin politik në Kosovë ka vullnet dhe gatishmëri që problemi të zgjidhet menjëherë pasi që Qeveria në Shkup të anulojë vendimet e marra.