17 Nëntor 2024

Kosova "nuk diti” t’i shfrytëzojë fondet ndërkombëtare

Prishtinë, 28 shkurt - Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova është anëtarësuar në disa mekanizma financiarë ndërkombëtarë, kurse përpjekjet vazhdojnë edhe për anëtarësime në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Në maj të vitit 2009, Kosova ishte bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN) kurse në qershor po të këtij viti u pranua edhe në Bankën Botërore (BB).

Ndërkaq, në fund të vitit 2012, Kosova u anëtarësua edhe në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH).

Zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të ekonomisë në atë periudhë konsideronin se anëtarësimi i Kosovës në këto institucione financiare, do të krijonte siguri ekonomike, do ta përmirësonte imazhin e Kosovës në tregjet financiare, si dhe do ta rriste besimin e investitorëve të huaj.

Por, cili është vlerësimi i tyre pas gjashtë vjetësh, respektivisht pas dy vjetësh të pranimit?

Cilat janë përfitimet dhe sa është vlera e borxheve në këto institucione që konsiderohen kryesore në Kosovë?

Shefi ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se anëtarësimi i Kosovës në këto organizata ndërkombëtare financiare nuk është shfrytëzuar në nivel të duhur.

Sipas tij, kanë munguar projektet e nevojshme për shkak të kapaciteteve të kufizuara njerëzore në institucionet e Kosovës.​

“Në bazë të kontakteve që kemi pasur me përfaqësues të këtyre institucioneve, na është thënë se kërkesat, ose aplikacionet për financim, kanë qenë të mangëta. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me kapacitetin e kufizuar njerëzor brenda institucioneve tona”, thotë Zeka.

Edhe Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, konsideron se pas njohjeve politike, në aspektin ekonomik, rëndësi të madhe ka pasur anëtarësimi i Kosovës në këta mekanizma financiarë ndërkombëtarë.

Këto anëtarësime, thotë Demi, kanë konfirmuar shtetësinë e Kosovë dhe janë mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, por që deri më tani nuk janë shfrytëzuar as nga ekzekutivi, por as nga sektori publik.

“Mundësitë janë, por janë shfrytëzuar shumë pak. Madje edhe në takimet që kemi pasur me përfaqësues të BERZH-it, ankesa e tyre ka qenë se nuk po arrijnë të marrin oferta të mira, qoftë nga Qeveria e Kosovës, qoftë nga sektori privat për të financuar”.

“Mundësitë janë për të financuar më shumë, por kërkojnë aplikime konkrete dhe kredibile, e të cilat ata nuk po mund t’i gjejnë në Kosovë”, bën të ditur Demi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Financave, kanë thënë se përfitimetnga Fondi Monetar Ndërkombëtar janë të pranishme, sepse qasja në huazime është me kushte të volitshme financiare, po ashtu përfitime ka edhe nga grantet e ndryshme të Bankës Botërore.

Muharrem Shahini, drejtor në zyrën për komunikim publik në Ministrinë e Financave, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri në fund të muajit janar të këtij viti, \"borxhi ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar ka arritur në 106.3 milionë euro, kurse ndaj Bankës Botërore, ku përfshihet edhe borxhi ka arritur në shumën 214.9 milionë euro\".

“Fondet e huazuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar janë përkrahje buxhetore, kurse fondet të cilat janë huazuar nga Banka Botërore janë për financimin e projekteve të ndryshme siç janë: modernizimi i sektorit publik, regjistrimi i pasurisë së patundshme dhe kadastër, bujqësia dhe zhvillimi rural, pastrimi dhe rikuperimi i tokave, reforma shëndetësore, si dhe projekti për efiçiencë”, thekson Shahini.

Ndërkaq, një Bankë tjetër që zyrën e ka pasur në funksion dhe ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe sektorin privat edhe pa qenë anëtare e saj, është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në këtë institucion financiar Kosova është bërë anëtare në fund të vitit2012.

Në një përgjigje të shkurtër nëpërmjet postës elektronike, udhëheqësi i zyrës së BERZH-it në Kosovë, Anton Kobakov, shkruan se “kjo bankë, që nga viti 2013 ka nënshkruar 18 projekte me një vlerë prej 59 milionë eurosh. Kurse, nga viti 1999 e deri në vitin 2013, BERZH-i ka financuar projekte në vlerë prej 65 milionë eurosh”.

Ndryshe, BERZH-i ndihmon sektorin privat, po ashtu, edhe atë publik. Në të shumtën e rasteve nuk kalojnë më shumë se 60-70 për qind të çmimit të përgjithshëm të projektit.

Përfaqësuesi i bizneseve në Kosovë, Arian Zeka, shprehet se nga kjo bankë , bizneset private kanë pasur përkrahje, por megjithatë ai thotë se kërkesat për financim kanë qenë modeste.

“Fatkeqësisht, nuk është shfrytëzuar sa duhet nga ana bizneseve private, por as nga institucionet e vendit. Shumë nga këto institucione financiare ndërkombëtare, ofrojnë financim me kushte të volitshme, sidomos për projekte të tilla që kanë të bëjnë me mjedisin ose trajtimin e mbeturinave, apo ujërave të zeza. Ka hapësirë të madhe që të shfrytëzohen këto burime të financimit, por që natyrisht se duhet të punohet më shumë”, shton Zeka.

Kurse, Agron Demi vlerëson se sektori privat nuk ka shumë informacione për procedurat e aplikimit dhe mundësisë së shfrytëzimit të këtyre fondeve. Dhe, për këtë, ai “fajëson” Qeverinë e Kosovës për mosinformim.

“Për këtë duhet të ekzistonte një zyre ose një zyrtar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik apo Ministrinë e Financave, i cili do të merrej pikërisht me kërkesat e këtyre bizneseve për financim dhe do të adresohej në bazë të kërkesave të BERZH-it, me qëllim që bizneset ta kenë këtë mundësi. Kjo për shkak se në bankat komerciale është shumë më lehtë për të marrë financim, por kamatat janë shumë më të larta sesa ato të BERZH-it”, vlerëson Demi.

Prandaj, thekson Demi, përveç deklaratave që kanë dhënë autoritetet kompetente se do t’i ndihmojnë bizneset në këtë drejtim, deri më tani nuk ka asgjë konkrete që të ndihmojnë apo informojnë bizneset që të kenë qasje në fondet e BERZH-it.

Fondet e këtij institucioni financiar, siç thotë Demi, për bizneset private, janë më profitabile se sa për sektorin publik. 


/Radio Evropa e Lirë/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)