Kosova nënshkruan marrëveshje me Bankën Evropiane për Investime
Zëvendës presidenti i BEI-së, Anton Rop, ka deklaruar se kjo Marrëveshje Kornizë do tia mundësojë BEI-së që të zgjerojë mjetet financiare për projektet të cilat janë domethënëse për zhvillimin e konkurrencës së Kosovës.
Është një shprehje vullneti nga ana e Bashkimit Evropian që të mbështes zhvillimin e Kosovës duke i dhënë asaj një perspektivë të qartë evropiane, ka pohuar ai.
Sipas tij Marrëveshja kornizë do tia lejojë bankës që të vazhdojë me financimin e projekteve në Kosovë, posaçërisht në fushat e ambientit, transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturës energjetike, si dhe që të ofrojë mbështetje teknike që ka për fokus përgatitjen dhe financimin e projekteve me prioritet të cilat janë me rëndësi për zhvillimin e Kosovës.
Përfshirja e BEI-së gjithashtu do të ndihmojë bashkëfinancimin e projekteve me donatorët tjerë dhe grantet e BE-së dhe do të mbështes zbatimin e instrumenteve të ndryshme, siç janë Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor (KIBP) dhe Institucioni për Zhvillim dhe Inovacion të Ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor (IZhIN BP), ka deklaruar Rop.
Kurse shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, shprehu kënaqësinë me marrëveshjen e arritur.
Nënshkrimi i sotëm është rezultat i punës së palodhshme disa mujore nga të dyja palët Qeveria e Kosovës dhe BEI-së."
"Kthimi i BEI-së në Kosovë paraqet sinjal pozitiv për investitorët e huaj dhe një hap përpara drejt një jete më të mirë për qytetarët e Kosovës. Derisa zbatimi i Marrëveshjes së Dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë ndjenjën e nevojshme të normalizimit në rajon, kjo Marrëveshje kornizë shënon një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë, ka deklaruar Zhbogar.
Komisioni Evropian në Bruksel e përgëzoi nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë. Zëvendës presidenti Olli Rehn dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Politikat e Fqinjësisë në Evropë, Stefan Füle në një deklaratë të përbashkët vlerësuan se BE-ja është zotuar të mbështes zhvillimin socio-ekonomik në Kosovë, përtej dallimeve mbi statusin.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së sotme kornizë përcakton bazën për bashkëpunim të mirë në mes të BEI-së dhe Kosovës që do të mbështes perspektivën evropiane të Kosovës. Krahas fondeve, BEI-ja mund të ofrojë përvojë të rëndësishme të cilat do të shfrytëzohen në përputhje me politikat e BE-së dhe në koordinim me këshillat teknike dhe bashkëpunimit financiar, të cilat Komisioni i menaxhon përmes Instrumentit për para-aderim. Jemi posaçërisht të kënaqur që marrëveshja vjen në kohën kur Këshilli po diskuton mundësinë e negocimit të marrëveshjes për stabilizim dhe asociim.
Presim që BEI-ja së shpejti të jetë operacionale, në mënyrë që të mund të fillojë investimin në projektet infrastrukturore në Kosovë, gjithashtu duke i kushtuar vëmendje të posaçme NVM-ve, thuhet në komunikatën e Olli Rehnit dhe Stefan Füles.