Kosova nënshkroi Memorandum me Bankën Evropiane të Investimeve
Trieste, 13 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendës presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Dario Scannapieco, kanë nënshkruar në Trieste Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Evropiane të Investimeve, e cila do të mundësojë përfshirjen e BEI-së në përgatitjen dhe financimin e projekteve të përzgjedhura përbrenda listës prioritare që përkojnë me objektivat zhvillimore të Kosovës.
Në këtë kontekst, Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë identifikuar fushat kryesore të bashkëpunimit dhe përfshijnë: transportin, energjinë, infrastrukturën komunale dhe mjedisore, arsimin, shëndetësinë, strehimin social, bujqësinë, si dhe mbështetjen e sektorit privat.
Gjatë takimit është theksuar përkrahja e mëtejme e Bankës Evropiane për Investime për shumë projekte të rëndësishme në Kosovë, si dhe u diskutua për rehabilitimin e linjave hekurudhore, rrugëve automobilistike, për projekte të mundshme në shëndetësi, në sektorin e ujërave dhe ngrohjes qendrore, për bashkëpunimin me sektorin privat e në fusha të tjera.
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Triestes, ku ishin të pranishëm liderët e shteteve kryesore të BE-së si dhe kryeministrat e rajonit, kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar takime të ndara edhe me komisionerë të BE-së, zëvendës presidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller dhe personalitet të tjera, të cilët kanë vlerësuar se rritja ekonomike e Kosovës është rezultat i lidershipit të kryeministrit Mustafa, duke shprehur besimin që edhe qeveritë tjera të ndjekin shembullin e Qeverisë Mustafa dhe të kujdesen për financat publike.