Kosova nënshkroi marrëveshje ekonomike me Hungarinë
Budapest, 9 dhjetor - Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën zyrtare dyditore në Hungari.
Zëvendëskryeministri Thaçi ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend dhe për thellimin e bashkëpunimit të gjithmbarshëm ndërshtetëror, me theks të posaçëm në ekonomi dhe në vazhdimin e mbështetjes së shtetit hungarez dhënë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.
Thaçi dhe Szijjártó nënshkruan marrëveshjen për zhvillim ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Hungarisë.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi dhe sekretari hungarez i Shtetit për zhvillim ekonomik, János Fónagy, nënshkruan edhe marrëveshjen për transport rrugor të udhëtarëve dhe mallrave.
Ditën e parë të vizitës zyrtare në Hungari, zëvendëskryeministri Thaçi do ta përmbyll me një ligjëratë publike, të titulluar Jetësimi i perspektivës euroatlantike të Kosovës, të organizuar nga Instituti për Punë të Jashtme i Hungarisë.
Ndërsa, nesër, zëvendëskryeministri Thaçi do të pritet edhe nga kryeministri hungarez, Viktor Orbán, me të cilin do të zhvillojë një takim bilateral.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të përmbyll vizitën e tij zyrtare në Hungari me një takim bilateral edhe me kryetarin e parlamentit hungarez, László Kövér.