Kosova në sytë e bizneseve indiane
Prishtinë, 22 shkurt - Bizneset indiane janë të interesuara të investojnë në Kosovë në shumë fusha. Komuniteti biznesor i Indisë po i shikon mundësitë që në të ardhmen ta sjellë kapitalin e vet në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike Indiano-Kosovare (OEIK), Anil Mishra, në një bisedë për Epokën e re ka deklaruar se për fillim si përfaqësues i biznesit indian në Kosovë ka arritur të sjellë investime në vlerë rreth dy milionë euro në Spitalin e Syve në rajonin e Ferizajt, i cili pritet të jetë funksional në një të ardhme jo të largët.
Kam ardhur në Kosovë me kënaqësi që të investoj. Ka procedura të mëdha burokratike, përfshirë edhe marrjen e vizës që është dashur ta marr në Konsullatën e Kosovës në Turqi, ka theksuar ai. Sipas tij, edhe pse ka vështirësi, kjo nuk e bën të pamundur fillimin e një bashkëpunimi të ndërsjellë midis dy vendeve.
Ai ka thënë se Kosova, ashtu edhe sikurse të gjitha vendet, përfshirë edhe ato që janë në tranzicion, duhet të investojnë në dy fushat kryesore: shëndetësi dhe arsim.
Mishra ka shtuar se politika është ajo që mund ta pengojë bashkëpunimin e ndërsjellë Indi - Kosovë, por ai edhe për këtë ka një propozim se si këto dy vende mund të bashkëpunojnë. India është shtet shumë i madh, ka shumë investime të huaja, por edhe biznesmenët indianë investojnë në shumë vende, duke përfshirë Afrikën, që është një kontinent me rëndësi për ta. Kosova mund të jetë një mundësi e mirë për investimet indiane.
Kosova mund të jetë si pikë për Ballkan, i ka resurset e veta natyrore, por duhet ta kemi një arsimim më të mirë profesional, pasi arsimi është çdo gjë për të pasur më shumë zhvillim dhe rritje ekonomike, ka thënë ai.
Mishra e ka plan të sjellë investitorë në Kolegjin për Sy, i cili do të jetë ndërkombëtar dhe sipas planeve dhe kutikulave më të reja në botë. Ai ka bërë me dije se deri më tani i ka pasur shumë takime me disa kryetarë komunash të Kosovës, të cilët i kanë dhënë përkrahje atij që komuniteti i biznesit indian të vijë në ato komuna dhe të investojë në fushat që ata i shohin me rëndësi.
Vizat, problem i dyanshëm
Kryetari i Odës Ekonomike Indiano-Kosovare, Anil Mishra, ka bërë me dije se do të punojë personalisht që edhe qytetarëve të Kosovës tu mundësohet të udhëtojnë me viza në Indi. India ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, por kjo nuk është ndonjë pretekst për njohje të pasaportave të Kosovës nga ana e Indisë. Unë jam optimist për këtë gjë, ka thënë ai.
Mishra ka premtuar se do të lobojë te qeveria indiane të ndërrojë qasje për Kosovën, pasi nuk ka ndonjë arsyeje që mund të bllokohet Kosova. Mishra ka vlerësuar se fushat shumë të rëndësishme për të investuar në Kosovë janë energjia dhe turizmi.
Kosova është shtet i ri dhe ka shumë bukuri natyre, por Kosova është me traditë të vjetër, që mund të sjellë turistë. Po ashtu, edhe turizmi dimëror mund të jetë i leverdishëm për bizneset e interesuara, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike Indiano-Kosovare, Anil Mishra.