Kosova në negociata me Gjermaninë për 47 milion euro grant
Prishtinë, 18 tetor - Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministri i Financave Avdullah Hoti, i shoqëruar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenie Sociale, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, po merr pjesë në negociatat ndërqeveritare me Qeverinë Federale të Gjermanisë të cilat po mbahen në Berlin, ku pritet të negociohen zotimet e Qeverisë Federale të Gjermanisë për vitin 2016 dhe 2017.
Vlera totale e këtyre zotimeve pritet të arrijnë rreth 47 milion euro grant, në formë të asistencës financiare dhe teknike për projekte shumë të rëndësishme për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të vendit.
Sektorët që do të përfitojnë nga këto zotime janë ai i ujërave, energjisë, ambientit, edukimit si dhe disa sektorë të tjerë.
Vlen të theksohet se Qeveria e Republikës së Kosovës që nga pas lufta ka përfituar nga Qeveria Federale e Gjermanisë në formë granti dhe kredie për asistencë teknike dhe financiare vlerën prej 510 milion euro për projekte të rëndësishme në sektorët e lartpërmendur.
Për më tepër, Qeveria Federale e Gjermanisë është njëri ndër partnerët kryesor dhe më të rëndësishëm të vendit me një kontribut të jashtëzakonshëm drejt arritjes së qëllimeve për zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe integrim evropian.