Kosova në mesataren e rajonit me norma të interesit për kredi bankare
Prishtinë, 10 tetor - Meqenëse për vitet të tera Industria bankare në Kosovë operuar me norma super të larta të interesit për kredi bankare, tani brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur t’a përgjysmojë normën e interesit për kredi bankare.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës në Dhjetor 2018, norma mesatare e interesit në kredi të reja ishte 6.0 % apo më e ulëta që ka pasur Kosova ndonjëherë e që paraqet mundësi të mira financuese jo vetëm të klientëve privat por njëherazi edhe të bizneseve të vogla dhe të mesme.
Në nivel rajonal, sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga Banka Botërore në vitin 2018, rajoni në përgjithësi ka norma të përafërta të interesit për kredi bankare, ku Mali i zi qëndron me normën e interesit 6.36 %, Maqedonia e Veriut 6.1 % dhe Shqipëria 5.93 %.
Këto zhvillime e vendosin Kosovën në mesataren e rajonit për sa i përket normës mesatare të interesit për kredi.
Në anën tjetër, sipas po të njëjtit burim, theksohet se në vitin 2018 Kosova pati rritjen më të madhe të kredive në rajon në mbi 11%, ndërkaq Mali i Zi dhe Serbia 9% e përcjellur nga Bosnia dhe Maqedonia Veriore me 5 - 7%.
Vlera e kredive deri më sot në Kosovë është 2 miliardë e 942 milion euro, ndërkaq 63.6% e këtyre kredive janë kredi biznesore dhe 36% kredi familjare prej të cilave vetëm 2.2% e portfolios kreditore është kredi jo-performuese.
Përgjatë këtyre viteve, sektori bankar në Kosovë është treguar jashtëzakonisht i kujdesshëm duke krijuar portfolio kreditore kualitative dhe njëkohësisht duke mundësuar rritje të konkurrencës përmes modernizimit dhe shtimit të numrit të produkteve dhe shërbimeve siç janë e-banking apo kartelat contactless, ndërkaq karakteristikë e rëndësishme vazhdon të jetë stabiliteti dhe likuiditeti i lartë, indikator ky që mundëson rritjen e mëtutjeshme të kredive të reja.
Përmirësimi i kushteve të të bërit biznes në Kosovë ka mundësuar uljen e normës mesatare të interesit në kredi dhe rritjen e vlerës së përgjithshme të kredive të ofruara dhe kohëzgjatjes së kredive.